Dorëhiqet gjykatësja porote, gjykimi për rastin “TNT”kthehet nga fillimi

Procesi gjyqësor për rastin “TNT” do të kthehet nga fillimi, pasi që gjykatësja porote, Liljana Koçovska-Ivanovska, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Gjykatësi, Ognen Stavrev, sqaroi se gjykatësja porote ka dhënë dorëheqje për shkak të skadimit të mandatit, por edhe për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të saj. Kjo është hera e dytë që e njëjta porote jep dorëheqje. Herën e parë ndryshoi mendje pas premtimeve të kreut të Penales, Ivan Xholev, se do ta mbrojë nga kërcënimet dhe presionet. Prokurori, Burim Rrustemi, thotë se kthimi i lëndës nga fillimi do të ndikojë në zgjatjen e procesit gjyqësor.

Marketing

“Pres që të zgjat më shumë procesi gjyqësor. Mendoj se mbrojtja nuk do të pajtohet që dëshmitë vetëm të lexohen, pasi që për qëllim kanë stërzgjatjen e procesit gjyqësor 1 deri më 2 vjet.”,- tha prokurori, Burim Rustemi.

Por avokati, Jovica Strashevski, thotë se të gjithë skenarët që u mundua t’i imponojë Gjykata Penale, se gjoja mbrojtja ka bërë presion mbi gjykatësen porote, janë të pabaza dhe më në fund ka fituar drejtësia. Ai vlerëson se është më mirë që edhe një herë të rishqyrtohen provat.

“Unë për shembull vetëm dy orë kam pasur qasje në provat materiale dhe nga dëshmitë nuk di asgjë. Edhe nëse rishqyrtohen provat nuk ngadalësohet proceduara, por dëshmitë mund edhe vetëm të lexohen, unë nuk do të bëj obstruksione, si do të vendos shumica ashtu edhe unë.”,- tha avokati, Jovica Strashevski.

I dëmtuari, Fiat Canoski, dyshon se gjykatësja porote me vetdëshirë ka dhënë dorëheqje, sipas tij ajo ose është korruptuar ose është kërcënuar.

“Gjysmë ore para fillimit të seancës, porotja ka dhënë dorëheqje. Dyshoj se me vetdëshirë ka dhënë dorëheqje, por se është korruptuar nga mafia e cila sundon në Maqedoni ose se ka pasur kërcënime. Gjykimi do të fillojë nga fillimi dhe shpresoj se shpejt do të përfundojë gjithçka.”,- tha afaristi, Fiat Canoski.

Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, dhe ish-kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, ndërsa në mungesë gjykohet edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski.

Marketing