Drejtësia sjell siguri – tregim i hatashëm

Tregohet se në kohën e Kalifit Mu’tedidit që ishte kalifi i 15 i dinastisë Abasite, një komandant i lartë ushtarak i kishte marrë një borxh shumë të madh një tregtari.

Gjendja ekonomike e tregtarit sa vinte e përkeqësohej dhe sa herë që kërkonte nga komandanti që t’ia shlyente borxhin, ai ia shtynte afatin e shlyerjes.

Kërkoi ndërhyrjen e njerëzve që ia kishte hatrin, madje arriti puna deri aty, sa kërkoi ndërhyrjen e një veziri, por më kot.

I preokupuar nga gjendja e tij, konsultohet me një shokun e tij për t’i shkruar letër ankesë Kalifit, i cili nuk toleronte për zbatimin e drejtësisë.
Shoku i sugjeron zgjidhje, ndaj nisen që të dy dhe shkojnë në treg, ku ndalen pranë dyqanit të një të moshuari që ishte rrobaqepës.

-Ky ta zgjidh hallin tënd,- më thotë shoku,- ndaj tregoja historinë tënde.
I habitur nga veprimi i mikut tim dhe duke menduar se ai po tallet, tentova të largohem, mirëpo i moshuari insistoi që t’i tregoj hallin dhe unë ia tregova shkurt, duke mos pasur asnjë shpresë për zgjidhje.
-Ejani me mua,- na tha ai.
U nisëm pas tij dhe kur mbërritëm në rezidencën e komandantit u befasova se si rojet i hapën portat dhe i thanë që do i duhet të presë, pak derisa ta njoftojnë komandantin.
Erdhi komandanti, habia ime sa vinte e shtohej, komandanti me fytyrë të zverdhur tentoi që t’i puthte dorën të moshuarit.

-Përse nuk ia kthen borxhin këtij tregtari?- e pyeti me qetësi rrobaqepësi.
-Ju betohem që nuk e zotëroj shumën që i kam borxh, por nëse ai pranon unë i jap 5000 dinarë tani dhe për pjesën tjetër i lë peng pallatin tim.

-Si thua,- m’u drejtua mua i moshuari?
Unë që nuk po arrija të kuptoja gjë dhe as tu besoja syve pranova pa hezitim.
Dolëm prej aty dhe kur mbërritëm te dyqani i të moshuarit, para tij vendosa gjithë ato që mora dhe i thashë: -Xhaxha, mere gjysmën e këtyre, se pasha Allahun po t’i jap me gjithë shpirt.
Plaku me një buzëqeshje të ngrohtë më tha: -Kërkon të ma shpërblesh veprimin? Merri bir, Zoti të begatoftë, por tani më lër të punoj.

-Po mirë,- i thash unë,- më trego se përse ta dëgjoi fjalën ndërkohë që nuk ia shkoi hatrin as vezirit.
Nisi plaku dhe më tregoi sekretin: -Biri im, ka 40 vite që shërbej si muezin pranë pallatit mbretëror.
Vite më parë tek kthehesha prej namazit të jacisë, dëgjoj një grua të cilën e mbante në krahë një ushtar e cila kërkonte ndihmë e thoshte: -Ku janë mbrojtësit e nderit? A ka mysliman që më ndihmon?
I prekur nga thirrja e saj tentova ta shpëtoj prej kthetrave të ushtarit, por ai më shtyu dhe rashë përtokë.
I gjendur i pafuqishëm përballë tij, mblodha njerëz në lagje dhe shkuam para rezidencës së tij, mirëpo u përballëm nga sulmi i rojeve të tij dhe mua më rrahën më shumë nga të tjerët.

Shkova në shtëpi, fshiva gjakun, mirëpo zemra më dhimbte më shumë se plagët.
Më lindi një ide dhe e vura në zbatim menjëherë, shkova të thërras ezanin në xhami.
Në një kohë shumë të shkurtër xhamia u rrethua nga policia, elhamdulilah thashë me vete.
Shefi i tyre nga poshtë thërriste: -Kush është ai i çmendur që thërret ezanin në këtë orë?
Unë-, iu përgjigja.

-E thua me qetësinë më të madhe? Eja se të kërkon Kalifi.
Më shpunë tek kalifi, tek qëndroja para tij më kujtohej se sa i sertë është, ndaj kur më pyeti se përse e bëra një veprim të paudhë?

Unë u meka, pasi e pa frikësimin tim më la të qetësohesha pak dhe më pas i tregova se si qëndron puna.
Urdhëroi që t’i shpija te rezidenca e atij njeriu për ta vërtetuar, shkova dhe i tregova se ku banon.
Gruaja ndodhej në rezidencën e tij, kur shkuam sërish tek Mu’tedidi, ai pyeti gruan për çfarë ka ngjarë dhe përgjigja e saj ishte e njëjtë me rrëfimin tim.

Kalifi urdhëroi që ta shpijnë gruan në shtëpinë e saj, i dha dhe 1000 dinarë dhe i tha shoqëruesit: -Thuaji bashkëshortit të saj të sillet butë e sjellshëm me të, pasi është e pafajshme.
Më pas urdhëroi që ta ekzekutojnë komandantin mizor, pasi që një post të bën një shërbëtor të popullit dhe jo një arrogant dhe uzurpues i të drejta të tyre.

Më pas m’u drejtua mua, ku pasi më falënderoi dhe më dha një dhuratë të majme më tha: -Do të të lutesha që sa herë të hetosh ndonjë padrejtësi të thërrasësh ezanin në këtë orë të natës.
Dhe unë nga ajo ditë kam fituar shumë pushtet dhe pasi u hap lajmi i ndodhisë, nuk kam pasur nevojë ta bëj më një veprim të tillë, me të prezantuar diku e zgjidh problemin nga frika që kanë prej Mutadidit.

Gentjan Mara