Drejtor me dy-tre punëtorë!

Gati një e pesta e institucioneve në sektorin publik kanë më pak se 20 të punësuar, që jo vetëm e pamundëson funksionimin e tyre, por edhe shërben për të ndarë funksione për njerëz partiak. Këtë e tregon analiza e UNDP për administratën, ndërsa ka rekomanduar shqyrtimin e mundësisë së bashkimit të këtyre institucioneve me qëllim që të fitohen trupa më të mëdhenj dhe më të aftë për punë, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Raporti i UNDP ka shqyrtuar të dhënat për vitin 2017 të raportit vjetor të të punësuarve në sektorin publik që tregon se para tre vitesh, kanë funksionuar 245 institucione apo 18.3 për qind e tyre me më pak se 20 të punësuar. Sipas shifrave të Raportit Vjetor të Sektorit Publik për vitin 2017, numri mesatar i të punësuarve në një institucion të vetëm publik është rreth 100, ndërsa punojnë edhe 44 organe, ose 3.4 për qind e numrit të përgjithshëm të institucioneve me numër më të vogël se 5 të punësuar të stafit.

“Hulumtimi ka gjetur se synimi ndaj trupave të shumtë dhe të vegjël të administratës shtetërore, dhe sidomos të ndërmarrjeve shtetërore dhe publike, ndoshta buron nga kultura politike e sigurimit të pozitave udhëheqëse dhe të ardhurave përcjellëse ndaj personaliteteve që janë të rëndësishëm për partitë politike si funksionarët partiak dhe aktivistët, ish politikanët e kështu me radhë”, thuhet në analizën e UNDP-së. Gjithashtu, raporti i fundit i Regjistrit të të punësuarve në administratën publike për vitin 2018, tregon se në sektorin publik të shteti ekzistojnë 1314 institucione prej të cilave 23 nuk kanë të punësuar, 152 kanë deri më 10 të punësuar, ndërsa 483 kanë prej 11 deri 50 të punësuar.

Në këtë raport nuk janë paraqitur institucionet që kanë numër më të vogël se 20 të të punësuarve. Nga ana tjetër, në analizë shtohet se këto pozita udhëheqëse shpesh plotësohen me persona të emëruar politikisht dhe jo me persona të zgjedhur në procedurë të hapur dhe transparente. UNDP vlerëson se vështirë mund të arsyetohet ekzistimi i trupave të vegjël administrative, që me të punësuarit e tyre, nuk mund të realizojnë as funksionet themelore.

“Si duket, praktika e vendosjes politike të personave me lidhje partiake për udhëheqës në trupat administrativ shtetëror, e plotësuar me jo efikasitetin e ndritshëm dhe numrin e madh të trupave të vegjël të administratës shtetërore krijon një kulturë toksike apo të helmueshme të administratës publike”, theksohen edhe pasojat e një praktike të tillë në menaxhim në analizë.

Njëherësh, analiza e muajit maj të vitit të kaluar të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim apo Programit të Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar vendet e varfra dhe vendet në zhvillim, rekomandon që në një periudhë trevjeçare, të bëhet analiza dhe të centralizohen funksionet për përkrahje të trupave të vegjël, ndërsa për një vit të përpunohet sistemi për punësim konkurruese për të gjitha pozitat e administratës publike.

Ndryshe, analiza e UNDP-së thekson se politika e administratës publike për një kohë të gjatë është definuar apo përcaktuar në mënyrë të paqartë, andaj çfarëdo që të përcaktohej si prioritet, mbetet e pazbatuar. Ky boshllëk administrativ dhe ligjor rezultoi në një qasje jo sistemore për zhvillimin e administratës publike në të gjitha fushat e politikave dhe degët e pushtetit publik. Ajo krijoi edhe administratën e shumtë publike me organe që pengojnë efikasitetin dhe efektivitetin e administratës publike të vendit. (koha.mk)