Drejtorët e disa shkollave të mesme në gjuhën maqedonase, në të cilat ka edhe paralele në gjuhën shqipe, në mënyrë flagrante shkelin ligjin duke ua imponuar nxënësve shqiptarë që të vetëquhen “maqedonas”. Sipas urdhrit të këtyre drejtorëve, në dëftesat e nxënësve pavarësisht se a janë shqiptarë apo maqedonas, në rubrikën ku shkruhet shtetësia – duhet të qëndrojë maqedonas (makedonsko), e jo Republika e Maqedonisë së Veriut, ashtu siç ishte më parë me emrin e vjetër të shtetit, shkruan gazeta KOHA.

Edhe pse në të gjitha dëftesat e nxënësve për shkollat fillore dhe të mesme të lëshuara nga Inspektorati i Arsimit, e të cilat janë falas në rubrikën e shtetësisë e cila është e zbrazët, duhet të shënohet emri i ri i shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut, por për disa drejtorë maqedonas kjo nuk vlen. Profesorë dhe nxënës të revoltuar nga këto shkolla kanë denoncuar rastin në gazetën KOHA, duke kërkuar që në dëftesat e tyre te vendi i paraparë për shtetësinë të shkruaj emri i shtetit e jo ‘maqedonas’ (‘makedonsko’).

Më përjashtim të këtyre shkollave, në të gjitha shkollat tjera të vendit, rubrika e shtetësisë është e zbrazët dhe aty vet arsimtarët duhet t’i plotësojnë me emrin e ri të shtetit. Sikundër dihet, kjo ka qenë praktikë edhe në të kaluarën, ku po në të njëjtën rubrikë është shënuar se nxënësi është shtetas i Republikës së Maqedonisë ose është përdorur shkurtesa R.M.

“Ministria nuk mund të jep urdhër se si duhet të shkruhet në rubrikën e shtetësisë nëpër dëftesat e nxënësve. Kjo çështje është e rregulluar me ligj. Çdo prind, profesor, nxënës apo edhe gazetarë që ka informacione të tilla, duhet rastet ti praqes ne Inspektoratin e Arsimit. Kjo çështje është e rregulluar me ligj për gjuhët. Shkeljet e ligjit nuk duhet tolerohen. Çështjen e shtetësisë nuk e siguron ministria e Arsimit”, deklaruan nga Ministria e Arsimit për gazetën KOHA. Nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit thonë se në rubrikën ku shënohet shtetësia në dëftesat e nxënësve, si edhe deri më tani duhet të qëndrojë emri i shteti, e jo ndonjë formulim tjetër. “Kjo është edhe rregull ligjore. Për të gjitha denoncimet do të veprohet”, thonë nga Inspektorati.

Një tjetër problem të cilën e ka regjistruar Inspektorati i Arsimit në disa shkolla me çështjen e dëftesave është se ato u janë shitur nxënësve, ndërkohë që të njëjtat janë falas nga Ministria Arsimit dhe Shkencës.