Drejtori i ASK-së Dimovski: Në procedurë zgjedhja e zëvendësit dhe sigurimi i hapësirave

Po kompletohet përbërja e komisionit për përzgjedhjen e të punësuave në Agjencinë për Siguri Kombëtare. Siç mëson joyzrtarisht Alsat, pjesë e komisionit, përveç drejtorit të ASK-së Viktor Dimovski do të jenë Ljubica Jakimovska dhe Bujar Ajrullai nga radhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjithashtu komisioni do të përbëhet edhe nga dy anëtarë të sindikatës së policisë dhe dy deputetë. Në Komisionin parlamentar për punën e DSK-së dhe Agjencisë së Zbulimit u propozuan edhe emrat e deputetëve, Trajço Dimkov dhe Artan Grubi. Megjithatë, ky i fundit njoftoi kreun e Kuvendit se refuzon këtë detyrë për shkak të obligimeve të tjera. Për momentin, nuk dihet se cili deputet do ta zëvendësojë atë. Komisionet do të duhet të kompletojnë kuadrin deri më 20 gusht kurse ASK-ja do të fillojë me punë në shtator. Drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski deklaroi se në rrjedhë është edhe procedura e zgjedhjes së zëvendësit të tij dhe sigurimit të hapësirave të reja.

Marketing

Ndodhemi në vetë fillimin e punës së Agjencisë. Mund të njoftoj gatishmëri për transparencë ndaj mediave, për transparencë në punë. Se si do të rrjedhin përgatitjet do t’ju mbajmë të informuar. Punohet në përzgjedhjet e hapësirave. Atë që mund të them është se Agjencia do të ndodhet jashtë hapësirave të Ministrisë së Punëve të Brendshme- deklaroi Viktor Dimovski, drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare.

ASK-ja do të ketë nevojë për më pak të punësuar nga sa ka pasur Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim. Të punësuarit që nuk do t’i kalojnë filtrat e selektimit do të shpërndahen në MPB ose në institucione të tjera. ASK-ja u formua si rrjedhojë e procesit të reformave në shërbimet e sigurisë për të zëvendësuar Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.

Marketing