Nuk bëhen akoma publik emrat e kandidatëve të mundshëm të cilët synojnë postin e të parit të Agjencisë për Siguri Kombëtare. Nga qeveria thonë se drejtori do të zgjedhet në afatet e parapara me ligj.

Sipas ligjit, drejtorin e emëron qeveria me propozim të kryeministrit kurse zv,drejtorin e emëron qeveria por duhet ta propozojë drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare. Drejtori i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare do të propozohet në Qeveri në kuadër të dispozitave ligjore, në afatin kohor që parashikon ligji, për të miratuar njeriun e parë të këtij institucioni.”- u shpreh Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

Alsat mëson se drejtori, emrin e të cilit duhet ta propozojë kryeministri, me shumë gjasë do të zgjedhet në mbledhjen e rregullt të kabinetit qeveritar ditën e martë. Alsat drejtoi pyetje edhe në Minsitrinë e Punëve të Brendshme rreth zhvendosjes së pajisjeve teknike dhe materialeve të tjera nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim por deri në këto momente nuk ka një përgjigje.

Fillimisht ishte parashikuar që ASK-ja të fillojë me punë më 1 qershor por vonesat në miratimin e ligjit shtynë edhe fillimin me punë të këtij institucioni. Zyrtarisht ASK-ja do të fillojë me punë më 1 shtator dhe atëherë do të pushojë së ekzistuari edhe Drejtoria për Siguri Kombëtare dhe mandati i drejtorit të saj. Akti më i vështirë duket të jetë selektimi dhe bartja e punësuarve nga DSK-ja në Agjencinë e re.

Ligji për Agjencinë për Siguri Kombëtare
Qeveria në afat prej 10 ditësh nga dita e emërimit të drejtorit formon dy komisione:

Komision për përpilimin e akteve për organizimin dhe punën e Agjencisë, për sistematizimin e vendeve të punës dhe për vërtetimin e vlerës së pikëve për llogaritjen e pagës bazë të të punësuarve.

Komision për selektimin dhe zgjedhjen e të punësuarve nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim.
Agjencia do të ketë nevojë për pothuajse gjysmën e të punësuarve të DSK-së kurse kuadri tjetër pritet të shpërndahet në vende të tjera pune në Minsitrinë e Punëve të Brendshme ose eventualisht në institucione të tjerë.