Drejtori i AZGJ-së Sela takohet me zëvendësambasadorin gjerman Graf

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, realizoi takim pune me Oto Graf, zëvendësambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Në takim, drejtori Sela shprehu kënaqësi për vizitën dhe interesin e ambasadës gjermane për punën e AZGJ-së dhe falënderoi për ndihmën e deritanishme të Republikës Federale të Gjermanisë që po i jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në më shumë segmente sociale.

Ai gjithashtu informoi bashkëbiseduesin e tij për rëndësinë e funksionimit të AZGJ-së për krijimin e një shoqërie kohezive multietnike që na shpie drejt integrimit dhe jo ndarjes së qytetarëve, gjegjësisht shoqëri që garanton, promovon dhe avancon të drejtat e qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe të drejtën për t’u shprehur dhe përdorur gjuhën e tyre amtare.

Zëvendësambasadori Graf shkëmbeu mendime me drejtorin Sela për përvojat dhe sfidat për njohjen dhe vendosjen e gjuhës gjermane në suaza evropiane dhe shprehu gatishmëri për bashkëpunim me drejtorin Sela për të ngritur në një nivel tjetër dialogun dhe përkrahjen e ndërsjellë për punën e AZGJ-së drejt realizimit të përcaktimeve programore.

Të dyja palët u dakorduan që arsimi është një nga segmentet kryesore ku duhet të bëhen përpjekje më të mëdha për të thyer stereotipet e paragjykimet nacionaliste dhe se përmes politikave cilësore dhe të konceptuara mirë të arsimit mund të ndikohet pozitivisht në ndërgjegjësimin dhe rëndësinë e pranimit dhe mësimit të gjuhës së bashkëqytetarit të një etnie tjetër si pasuri dhe mjet për komunikim dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

Marketing