Drislla nuk i pranon mbeturinat nga Struga

Deponia Drislla në Shkup nuk i pranon mbeturinat nga Struga. Mbeturinat edhe më tej do të grumbullohen në lokacionin ekzistues në hyrje të qytetit, edhe krahas premtimeve të fuqishme të kryetarit Ramiz Merko i cili disa herë doli me afate konkrete se problemi do të zgjidhet plotësisht. Nga deponia kryesore e Shkupit për televizionin Alsat deklaruan se as komuna e as ndërmarrja komunale e Strugës nuk ka kontaktuar me ta, por se këtë e ka bërë një kompani e caktuar.

Marketing

Ju njoftojmë se pranë kompanisë DRISLLA- SHKUP SH.P.K është drejtuar një kompani e cila dëshironte të transportojë mbeturinën nga deponia e Strugës, por kërkesa e tyre u refuzua pasi në deponinë Drislla s’mund të sjellë mbeturinë kompani pa përgjigje paraprake për pranimin dhe trajtimin e mbeturinës nga kompania tjetër”- tha Deponia Drislla- Shkup

Nga Ministria e ambientit jetësorë konfirmuam se komuna e Strugës ka kërkuar që mjetet e dedikuara për transportin e mbeturinave të ri-destinohen.

Komunës së Strugës në bazë të vendimit të Qeverisë i janë ndarë mjete në vlerë prej 12 milionë denarë të dedikuara për shtypjen dhe transportin e mbeturinës deri në lokacionin Drislla. Është e vërtetë që komuna pranë Qeverisë së Maqedonisë ka dorëzuar kërkesë për ri-destinim të një pjese të mjeteve të marra”- thonë nga Ministria e ambientit jetësor.

Kreu i Strugës Ramiz Merko ishte i pakapshëm për të komentuar zhvillimet e fundit rreth mbeturinave. Pyetje dërguam edhe përmes postës elektronike nëse komuna posedon Plan B dhe për çfarë do t’i shpenzojë këto mjete. Nga sektori i komunës për marrëdhënie me publikun përmes telefonit na njoftuan se nuk do të përgjgijen. Në një situatë të tillë, ambientalistët komentojnë se bartja e mëtutjeshme e deponisë së egër do të jetë goditje serioze ekologjike.

Për momentin, në këtë deponi është ndërtuar vetëm stacioni për ngarkimin dhe shtypjen e mbeturinës që deri më tani fare nuk është lëshuar në përdorim ndërsa janë blerë edhe kontejnerët e nevojshëm për transport. Pjesa më e madhe e deponisë është e mbuluar me dhe, por në këtë vend për çdo ditë sillen sasi enorme të mbeturinave.