Droga e shqiptarëve, arrestime në “shtëpinë” e Milan dhe Inter

Policia italiane ka ekzekutuar sot aksionin për arrestimin e 22 personave të akuzuar për trafik të substancave të ndaluara. Nga aksioni i realizuar u arrestuan 15 persona, nga të cilët dy janë burgosur, për shkak të vendimit të gjykatës së marrë më parë. Ndërkohë katër janë në perëndim dhe tre të tjerë janë për momentin në kërkim.

Marketing

Agjentët e skuadrës hetuese të komisariatit qendror të Milanos, kanë zbatuar vendimin e gjykatës mbi një aktivitet kompleks, pas hetimit të nisur që në vitin 2016. Mes të arrestuarave është edhe 37-vjeçari Luca Lucci, kapo-ultras i tifozerisë së Milan, që sipas hetimeve furnizohej me drogë nga shqiptarët në ambientet e selisë së ‘Al Clan’ të Sesto San Giovanni, në rrugën Sacco e Vanzetti, dhe më pas angazhohej për ta shpërndarë drogën në qytet.

Në pranga ka rënë edhe Massimo Mannelli, përgjegjësi i stjuardëve të Inter. Lucci ka precedent të ndryshëm për shkelje sportive dhe është dënuar për agresionin ndaj Virgilio ‘Virgi’ Motta, interistit që gjatë derbit Milan-Inter të 15 shkurtit 2009 në stadiumin “Meazza” kishte humbur njërin sy për shkak të një grushti të ultrasit.

Aksioni ka nisur në mars të vitit 2016, pas arrestimit të Davide Palizza, të cilin e gjetën me gjysmë kilogram marijuanë dhe më pas ndërtuan rrjetin falë tabulateve telefonike. Gjatë hetimit janë përgjuar 140 numra telefonikë dhe sekuestruar 600 kg drogë, të përbërë nga marijuanë, hashish dhe kokainë.