Dubai, ndërthurja e traditës dhe biznesit gjatë Ramazanit

“Si i ndikohen jetët e tyre nga puna jonë? Si mund t’ua përmirësojmë jetën?”
Sapo ka kaluar ora gjashtë pasdite, dhe kjo është pyetja që i drejton stafit një nga zyrtarët më të rinj të kabinetit qeveritar në Emiratet e Bashkuara, Omar Bin Sultan Al Olama, Ministër i Inteligjencës Artificiale.

“Le të përqendrohemi te mundësia për të krijuar një ndikim të gjerë, dhe t’i tregojmë botës se si krijohet ky ndikim”, shton ai në mbledhjen e punës.
Në Gjirin Persik, muaji i Ramazanit njihet për orët e shkurtuara të punës, për rendiment të dobët dhe prodhimtari të ulët. Por jo këtu.

“Mendoj se ramazani është periudhë shumë aktive. Ne punojmë me 120% të fuqive gjatë ramazanit. Mendojmë se mund të bëjmë shumë dhe kjo mund të shihet edhe këtu”, thotë ministri për CNN.

28-vjeçari po mbikëqyr projektin më të fundit “inkubator” të qeverisë, një mundësi takimi që ka si qëllim të ndërlidhë korporatat e pranishme në Dubai me bizneset e reja “startup” dhe investues të tjerë. Projekti quhet “Zona 2071:”

“Zakonisht, nëpër botë, qeveria kryeson në industrinë e shërbimeve, ndërsa sektori privat në të gjitha industritë e tjera. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, qeveria është pararojë kudo. Qeveria është ajo që tërheq një talent. Talenti vjen të punojë për qeverinë, dhe këtu bëhet roli i inkubatorit. Ne besojmë se këta të rinj mund të punojnë me qeverinë për t’i dhënë trajtë një të ardhmeje që ende s’ekziston”, shpjegon ai.

Menjëherë pas orës shtatë e mbrëmjes ulen të hanë iftarin, vaktin që mbyll agjërimin.

Ky është një çast shumë social, që zakonisht kalohet me miqtë dhe familjarët.
Në gjashtë orët e ardhshme ai do të kalojë përmes qytetit dhe do të bëjë një ndalesë në xhami, për lutjet e ditës.

Më pas do të ndjekë një orë leksioni për Ramazanin, të organizuar nga qeveria për të diskutuar çështjet ekonomike dhe shoqërore.
Këtu krijohet një ide se si dita e punës kalon në orët e mbrëmjes gjatë muajit të ramazanit.

“Njerëzit janë shumë më të qetë gjatë ramazanit. Janë më të hapur, shumë më të kuptueshëm sesa gjatë vitit. Për këtë arsye, hapen shumë mundësi të reja, sidomos në Emiratet e Bashkuara Arabe. Mund të njohësh njerëz të tjerë dhe të bësh më shumë biznes”, shpjegon Ministri i Inteligjencës Artificiale.
Gjatë këtij muaji të shenjtë organizohet një vend takimi ku krijohen njohje të reja.

Shëndeti dhe mirëqenia janë aspekte shumë të rëndësishme, gjithashtu.
Në orën 23:00 shkojmë të shohim një turne futbolli për ramazan, që zhvillohet midis departamenteve qeveritare.

Dubai është aktor i rëndësishëm botëror, si qytet, dhe po vazhdon të përshtatet gjithnjë e më shumë.

Një raport i vitit 2011 tregoi se Emiratet e Bashkuara Arabe kishin humbur 1.4 miliardë dollarë nga PBB, vetëm gjatë muajit të ramazanit.
Në vitet e fundit janë lehtësuar ligjet për bizneset që hapen gjatë ditës, gjatë këtij muaji. Edhe disa hotele tani lejohen të shërbejnë ushqim dhe alkool.
“Mendoj se është gjë e mirë. Si në çdo qytet tjetër të botës, kjo nuk bëhet për ritualet kulturore e fetare, por për të përmirësuar jetën e njerëzve”, thotë Ministri Omar Bin Sultan Al Olama.

Por zakonet e vjetra vazhdojnë të jenë shumë të gjalla dhe shumë jetike. Menjëherë pas mesnate, jemi në një mbledhje tradicionale, një zakon që mbizotëron në të gjitha shtëpitë arabe në Dubai.

“Në kohët e vjetra, ky takim ishte si dhoma e biznesit, ku njerëzit takoheshin për të diskutuar, për të sjellë idetë e tyre, për të kërkuar këshilla. Është platformë shumë e mirë për t’u njohur me njerëz të tjerë e madje edhe për të mbyllur marrëveshje biznesi”, thotë Ibrahim Al-Zubi, Drejtor i Qëndrueshmërisë së Burimeve Natyrore.

Një mënyrë e veçantë përshëndetjeje është pjekja e hundës me tjetrin, gjë që shfaq miqësi dhe respekt të thellë në kulturën beduine.
“Biznesi bëhet nëpërmjet lidhjeve. Njihesh me njerëz të rinj, i dëgjon, u tregon për biznesin tënd. Kështu mund të gjesh një mundësi të re bashkëpunimi. Është shumë mirë”, thotë një prej pjesëmarrësve.

“Ne jemi në biznesin e blerjes së kompanive private. Për ne, kjo është një mundësi e mirë për t’u njohur me pronarë biznesesh. Më e rëndësishmja është që takimi bëhet në një mjedis shumë çlodhës. Ndryshe nga mjedisi i zyrës, ku gjërat janë më të ngurta”, thotë Kaldoun Kaxh Hasan, bashkëthemelues i “Ithmar Capital”.
Mbrëmja mbyllet me vaftin e bollshëm që bëhet para agimit, i quajtur “syfyr”. Sapo u zhvillua një tjetër natë lidhjesh shoqërore, ku mund të jenë bërë njohje dhe marrëveshje të reja biznesi.
John Defterios, CNN, Dubai