Vendi i dytë në grupin 1 në kualifikueset e kampionatit europia për Kosovën kalon nga Podgorica dhe pikërisht nga derbi me Malin e Zi. Mbrëmjen e sotme dardanët luajnë një pjesë të madhe të fatit të tyre në këto eliminatore sepse barazimi ndaj Bullgarisë në shtëpi ka lënë një shije të hidhur te skuadra e Bernard Challandes që sot synon triumfin në një ndeshje delikate që mund t’i kalojë edhe kufijtë sportivë. Luhet pa tifozë në kryeqytetin e Malit të Zi sepse vendasit janë dënuar për koret raciste të përdorura në humbjen e thellë 1-5 ndaj Anglisë. Kjo është diçka pozitive për Kosovën pasi nuk do ndiejë presionin që ushtrojnë tifozët malazezë.

Kjo është një ndeshje vërtet speciale për portierin e miqëve Aro Muriç, i cili ka luajtur me 21-vjeçarët e Malit të Zi dhe sot do të aktivizohet titullar nga trajneri Challandes. Kosova ka probleme të mëdha në mesfushë pasi nuk ka në dispozicion tre mesfushorë me peshë, Valon Berishën, Herolind Shalën dhe Hekuran Kryeziun, por gjithsesi Challandes pritet ta gjejë një zgjidhje. Kapiten i Kosovës në këtë sfidë do të jetë sulmuesi shtatlart Vedat Muriqi ndërkohë që Amir Rrahmani është rikuperuar në kohë dhe do të jetë titullar.Nuk do të ketë minuta për dy prurjet e reja Ibrahimaj dhe Dresheviç, pasi të dy këta lojtarë nuk kanë marrë ende ok-in përfundimtar nga FIFA për t’u aktivizuar me dardanët. Mali i Zi-Kosovë do të nisë në orën 20:45 dhe do të transmetohet live në Supersport 3.