Duka përgënjeshtron se Dibra është në karantinë

Kryetari i qytetit të Dibrës, Hekuran Duka në takimin e sotëm me gazetarët i demantoi informacionet e portaleve të caktuara dhe mediave të tjera se Dibra është nën karantinë.

Marketing

“I lus të gjithë mediat të mos përhapin dezinformata që shkaktojnë panik të panevojshëm jo vetëm në qytet, por edhe më gjerë. Deri më tani askush nuk është futur në karantinë në Dibër. Në qytet kemi pesë raste të konfirmuara të koronavirusit, për dhjetë priten rezultate nga testimi, ndërsa 31 persona janë në izolim shtëpiak”, tha Duka.
Ai shtoi se gjatë ditës do të arrijnë dy ekipe speciale të cilët duhet ta pasqyrojnë gjendjen.

Duke bërë retrospektivë për masat dhe aktivitetet e ndërmarra, ai informoi se është formuar një Shtab operativ, në të cilin janë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve përkatëse.

“Mbrëmë filluam me dezinfektimin e vendbanimeve në qytet. Filluam nga vendbanimi ‘Konjare’ ku është vatra e virusit. Sonte dhe në ditët në vijim do të vazhdojë edhe në vendbanimet e tjera. Ndërmarrja publike komunale “Standard” tashmë disa ditë po bën larjen e rrugëve në orët e mbrëmjes, ndërsa sot kryen dezinfektimin e të gjitha hapësirave publike dhe tregtare, kontejnerëve, koshave të mbeturinave në të gjithë qytetin, si dhe të fushave sportive dhe terreneve”, theksoi Duka.

Aktivitet e ndërmarra nga ana e komunës i vlerësoi si maksimale dhe iu falënderua të gjithë pronarëve të kafeve, salloneve të ondulimit, interneteve dhe të tjerëve të cilët plotësisht e kanë ndërprerë punën. Iu falënderua edhe besimtarëve në Dibër të cilët i respektojnë rekomandimet e Myftinisë së Dibrës dhe lutjet i kryejnë prej në shtëpi.

“Unë apeloj deri te të gjithë që t’i respektojnë rekomandimet, pasi së pari duhet të ndihmojmë veten duke shmangur takimet në grup, vizitat në shtëpi dhe të ngjashme. Unë rekomandoj mbylljen e të gjitha objekteve të biznesit, përveç dyqaneve të ushqimit dhe farmacive”, theksoi Duka.
Informoi se planifikon takim me kryetarin e Qendrës Zhupa, ku ka dy të infektuar dhe 11 në izolim shtëpiak, si dhe të komunës së Mavrovës dhe Rostushes, në mënyrë që të koordinohen aktivitetet si fqinjë, por edhe për shkak të faktit që në të tre komunat pas paraqitjes së koronavirusit në Itali kanë arritur një numër më i madh i qytetarëve.

Marketing