Duma: A thua si janë ndierë nënat nga Kosova kur panë mohuesin e Reçakut të ecte nëpër Tiranë

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike në Shqipëri, Grida Duma ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes për Mini-Schengenin Ballkanik, ndërsa e ka konsideruar të nxituar dhe të gabuar

Marketing

Përmes një shkrimi në Facebook, Duma ka hedhur akuza për mungesë përgjegjësie ndaj kryeministri Rama, ndërsa shkruan se qeveria e Shqipërisë po i bën dëm Kosovës.

Sipas saj, marrëveshja për Mini-Schengenin po krijon polarizim dhe ndarje të mëdha mes Shqipërisë dhe Kosovës, një përçarje që, sipas saj, nuk ka qenë në këto përmasa që nga rënia e komunizmit.

Duma thotë se asnjëherë nuk do të duhej që në Tiranë të parakalonin politikanët e Beogradit, kur, siç thotë ajo, një gjë e tillë kryhet në kurriz të Kosovës.

“Aq më tepër kur Vuçiqi ishte pjesë e qeverisë së Millosheviqit që dëboi një milion shqiptarë vetëm sepse quheshin shqiptarë, që shfarosi, përdhunoi dhe masakroi me forcën e armëve. Të gjitha këto krime sot Vuçiqi i mohon, dhe Tirana bën sikur i harron. Na duhet të pyesim: si janë ndier nënat shqiptare në Kosovë kur në mes të Tiranës ecën me arrogancë dhe triumfalizëm mohuesi i masakrës së Reçakut? Mendoj se ka ardhur koha që Shqipëria të reflektojë mirë, përpara se të bëjë çfarëdolloj hapi tjetër që dëmton qoftë edhe një centimetër të Kosovës, qoftë edhe një grimë të dinjitetit dhe ndjenjave të saj”, ka shkruar mes tjerash anëtarja e Kryesisë së PD-së, Grida Duma, raporton Koha.net.

Në fund të postimit, Duma ka postuar edhe disa fotografi të disa prej ngjarjeve të historisë së re të Kosovës.

Marketing