Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, ka dekretuar ligjin për autonomi gjithëpërfshirëse të muslimanëve Moro, raporton Anadolu Agency (AA).

Ligji i cili u miratua në parlament, është dekretuar edhe nga presidenti Duterte.

Pritet që ligji të paktën brenda 90 ditëve dhe më së voni 150 ditëve të paraqitet për referendum në rajonet ku jetojnë muslimanët Moro.

Ligji që parasheh rritjen e përfitimeve gjyqësore dhe ekonomike të muslimanëve Moro, do të sigurojë një autonomi më të gjerë ishujve përreth shtetit Mindanao, ku shumica e popullsisë janë muslimanë.

Me rregulloren e re do të formohet qeveria autonome e Bangsamoro, si dhe do të mund të hapen gjykata në të cilat do të zbatohen dispozita sheriatike në lidhje me liritë fetare në rajon.

Qeveria qendrore, kompetencat administrative në Mindanao do t’ia transferojë qeverisë së Bangsamoro.

Ujërat e brendshme në Bangsamoro do të bashkë menaxhohen me qeverinë kombëtare, ndërsa qeveria autonome do të mund të nxjerrë burimet energjetik dhe menaxhimin e tyre.

Gjithashtu edhe luftëtarët e Frontit Çlirimtar Islam Moro (MILF) dhe Frontit Çlirimtar Kombëtar Moro (MNLF) do të mund të marrin pjesë në forcat e zbatimit të ligjit.

Gjashtë komuna në shtetin Lanao del Norte dhe 36 qytete në shtetin Kotabato, me anë të referendumit do të mund të përfshihen në rajonet e pranuara me ligjin.

– Procesi deri tek paqja e përhershme

Pas negociatave paqësore që filluan në fund të viteve të 90’ta dhe kishte zgjatur rreth 15 vite mes qeverisë filipinase dhe MILF, më 15 tetor 2012 ishte nënshkrua “Marrëveshja Kornizë”.

Më pas më 28 mars 2014 u nënshkrua “Marrëveshja Paqësore Bangsamoro” më përfshirëse në kryeqytetin Manila.

MILF më 16 qershor 2015 kishte filluar të çarmatohet, por Senati i Filipineve nuk kishte arritur të pranojë Ligjin Themelor Bansamoro, me ç’rast kishte dëmtuar procesin e paqes.

Rodrigo Duterte fitoi zgjedhjet presidenciale në vitin 2016 dhe procesi i paqes ishte përshpejtuar.

– Muslimanët Moro në Filipine

Komunitetet muslimane në arkipelagun Mindanao, Palawan dhe Sulu, si dhe ishujt tjerë jugor të Filipineve quhen “Moro”.

Ata përbëjnë 11 për qind të popullsisë së Filipineve, ndërsa Islamin e kanë pranuar në shekullin e 14-të. Moro-t gjithashtu quhen edhe si Bangsamoro ose Bangsa Moro, që është grupi i dytë më i madh që nuk është katolik në Filipine, ndërsa në vete përfshin pjesëtarë të etnive të ndryshme që flasin 13 gjuhë të ndryshme.

Moro-t deri në shekullin e 20-të jetonin në vendin e tyre të pavarur, ndërsa qindra vite zhvilluan luftë kundër spanjollëve dhe kolonizatorëve amerikanë. Në vitin 1946 me sundimin kolonial të SHBA-ve populli Moro humbi pavarësinë e tij.

Nga kjo datë, për të fituar sërish pavarësinë e tyre, muslimanët Moro filluan t’i përdorin negociatat si mënyrë politike. Por, këto negociata nuk dhanë rezultate dhe pasiqë sulmet që shënjestronin popullin musliman u shndërruan në spastrim etnik, pjesëtarët e popullit Moro për të mbrojtur veten në vitet e 70’ta vendosën të luftojnë me armë.

Në përleshjet mes forcave qeveritare dhe muslimanëve gjatë më shumë se 40 viteve humbën jetën mbi 120 mijë persona, ndërsa 2 milionë njerëz u bënë refugjatë.