Shkruan: Faruk TASHOLLI

(Pak fjalë për veprat madhore të miqve të mi, dy veprimtarëve dhe atdhetarëve të shquar prof.Fadil Sulejmanit dhe të Lazim Destanit)

Kur njerëzit e zakonshëm, ata që i njeh dhe pinë kafe me ta, i shpalojnë idetë e larta, në fillim të duken utopi. Por këmbëngulësia e tyre që idetë t‘i realizojnë duke krijuar vepra madhore, pas realizimit të suksesshëm të duken fare të lehta. Rruga nga ideja deri te suksesi nuk është e lehtë, madje shumë e vështirë, e herë-herë pa shpresë, si përpjekja e Prometeut. Kur në verën e vitit 2009 e takova ish profesorin dhe mikun tim Fadil Sulejmanin, themelimi dhe funksionalizimi i Universitetit të Tetovës po i takonin historisë.Tashmë historia duhej të shkruhej me zgjerimin e këtij institucioni të lartë arsimor me themelim katedrash dhe fakultetesh, në zemrën e një qyteti të lashtë shqiptar, si ishte Tetova, madje edhe me gjuhë e shkollë të ndaluar në shekullin e kaluar. Fadil Sulejmani, ideator, themelues dhe rektor i parë i Universitetit të Tetovës, që asaj pjese të viseve shqiptare, jo vetëm që ia ndërroi pamjen e jashtme, por edhe ristrukturoi fuqitë e popullit të shtypur. Ai u bë strumbullar i një epoke të re „në një cep të Ilirisë“ rreth të cilit u afruan njerëzit që dhanë dije, djersë e para për ta ngritur Universitetin. I shantazhuar, i përndjekur dhe i burgosur për shkak të këtij qëllimi fisnik, Fadil Sulejmani nuk u përkul. Ai edhe kur ishte në burg Universiteti rritej se nuk bëhej ndryshe. Kishte ardhur koha që studentët e rinj të mos „mërgojnë“ më nga Tetova e Struga, nga Kërçova e Gostivari, nga Prespa e Kumanova për të marrë dije gjetiu, por për ta marrë dhe për të rrezatuar mu aty ku i kishin trojet e veta.

Por ideja e profesorit hasi në përkrahje brenda e jashtë atdheut. Pos tjerash, ai në mërgim kishte edhe shumë shokë të fëmijërisë që nën pushtetin e egër maqedon të kohës, u detyruan ta marrin udhën e padëshiruar qyteteve europiane për ta siguruar kafshatën e gojës. Pikërisht këta shokë nga Malësia e Sharrit, profesor Fadil Sulejmanit i qëndruan në krah me ndihma financiare, e disa, lëshuan shtëpitë e tyre falas që Universiteti të funksiononte normalisht. Njëri nga ata malësorë, i të njëjtit fshat nga vinte Fadil Sulejmani, pra nga Bozovca, ishte edhe mërgimtari Lazim Destani, që në ato vite kur filloi Universiteti i Tetoves të funksiononte me vështirësi, ky kishte themeluar agjensinë e pavarur të udhëtimeve me emrin “Sharr-Turist” Që në start, si më thoshte Fadil Sulejmani, Lazim Destani, fitimet e tij nga puna e pavarur, sa i ndante për familje, aq edhe për mbarëvajtjen e Universitetit. Por vitet rrodhën dhe kur u mëkëmb Universiteti, edhe Lazim Destani ndryshoi fushat e biznesit, ku me firmën e re Ecolog, filloi t’i punësojë mijëra tetovarë sa nga qyteti i Tetovës, sa nga Malësia e Sharrit, të cilët me fitimet nga puna, ndyshuan edhe pamjen e qytetit duke bërë shtëpi të bukura familjare. Atë që nuk e kishte bërë apo nuk ishte munduar ta bënte shteti për shqiptarët e bëri Lazim Destani, duke i bërë bashkëvendësit zot në tokën e tyre.
Nëse Fadil Sulejmani e bëri ndryshimin në ngritjen e të rinjve në aspektin arsimor e shkencor, duke orientuar mendjen drejt dritës së kohës, Lazim Destani e bëri ndryshimin ekonomik, që në një epokë të re, Tetova të merrte frymë më ndryshe. Por profesor Fadil Sulejmanit iu këput jeta duke lënë prapa mjë histori të bujshme. Lazim Destani, si zakonisht, vazhdoi që nga fitimet biznesore me gjithe familjen e tij, të ndajë ndihma qoftë në sferën kulturore të zhvillimit kombëtar, si ishin shkollat dhe institucionet përkatëse, por edhe ndihma të tjera humanitare të veçanta.

Hapi i fundit i Lazim Destanit ishte dhe mbeti brilant: Ai propozoi që Universiteti, pas 25 vite jete, ta marrë emrin e themeluesit të parë, të rektorit historik Fadil Sulejmani dhe investoi lapidrin Flakadani i Kujtesës si dhe shtatoren e profoseorit, me laps e fletore në dorë, ashtu si atë ditë kur e gjithë Tetova demonstroi guxim për të pasur universitet. Madhështore! Më 16 dhjetor 2019 ideja e Lazimit u bë realitet dhe festë kombëtare. Ai, i shoqëruar nga stafi akademik i Univesitetit, zbuloi emrin e institucionit te lartë ”Fadil Sulejmani” dhe shtatoren e rektorit historik. Ky akt, shënoi një epokë, që të dy këta burra, ndryshuan Tetovën për të vazhduar ardhmërinë që bartet te të rinjtë.