Dygjuhësia në Strumicë, Prilep, Veles…, a duhet të jetë?!

Ish-kryeministri Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani sërish sot u morën me interpretim të ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

“Përfundimisht në komunat ku qytetarët shqiptarë janë më shumë se 20%, ekzistojnë tabelat dygjuhëshe. Atje ku nuk janë, nuk ka tabela në dy gjuhë. Gjithsesi se këtë interpretim do ta merrni. Unë jam informuar se edhe te Avokati i Shtetit në Strumicë qëndron tabelë dygjuhëshe e cila shumë shpejt dhe menjëherë do ta largojnë sepse nuk kemi më shumë se 20% dhe nuk ka se kush ta përdorë gjuhë shqipe në Strumicë, tha Zaev.

Është e vërtetë se në Strumicë dygjuhësia nuk mund të përdoret. Kjo parashihet edhe ne nenin 7 të ligjit për gjuhët, por i njëjti njëkohësisht e hedh poshtë deklaratën e kreu të LSDM-së kur thotë se shqipja do të përdoret vetëm në komuna ku shqiptarët janë mbi 20%. Në fakt bazuar në paragrafin 2 të nenit 7, shqipja duhet përdoret edhe në zyrat rajonale të qeverisë nëse në atë rajon ka të paktën një komunë me mbi 20% shqiptarë. Kjo nënkupton se shqipja nuk është zyrtare në Strumicë, Koçan e Berovë, por është në Veles e Prilep. “Në zyrat rajonale të organeve të administratës shtetërore që mbulojnë së paku një njësi të vetëqeverisjes lokale në të cilën së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, emrat e zyrave do të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj”, thuhet në nenin 7, paragrafi 2 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Këtë e ri sqaroi sot edhe zëvendëskryeministri nga radhët e BDI-së Bujar Osmani. “Ligji definon qartë se në njësitë rajonale të institucioneve qendrore, të cilat mbulojnë se paku një komunë ku gjuha shqipe është zyrtare, pra janë mbi 20%, edhe në atë institucion gjuha shqipe është zyrtare. Kjo do me thënë që institucionet qendrore në Prilep, që e mbulojnë komunën e Dollnenit, ose institucionet në Veles që e mbulojnë komunën e Çashkës, ose Fondi shëndetësor në Veles që e mbulon Likovën, gjithashtu janë dygjuhëshe”, deklaroi Osmani. Ai bëri thirrje që kushdo që ka dilema, përfshirë edhe ish-kryeministrin Zaev, të drejtohen tek Agjencia dhe Inspektorati i gjuhëve për interpretim të ligjit, e nëse ka zbatim joadekuat, sipas Osmanit Inspektorati duhet të kontaktojë dhe sjellë vendime për shkelje të ligjit. Megjithatë dje Drejtori i Inspektoratit të gjuhëve, Fatmir Iseni, i tha Tv21 se inspektorët ende janë në trajnim për të marrë licencat dhe se do të dalin në terren për inspektim pas disa muajsh./TV21

Marketing