E drejta e blerjes së arit, Meta i kthen Ramës ligjin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend një tjetër dekret. Bëhet fjalë për ligjin “Për rezervat materiale të shtetit”. Ndryshimi ligjor i miratuar synon të thjeshtojë procesin e lëvrimit të mallrave rezervë të shtetit që bëjnë pjesë në grupin A, duke e zëvendësuar miratimin e lëvrimit të tyre nga me vendim të Këshillit të Ministrave siç parashikon aktualisht ligji në fuqi, me një akt individual, “Urdhër të Kryeministrit”. Në grupin e mallrave rezervë të shtetit përfshihet ari dhe lëvizjet me ligjin aktual në fuqi bëhen me VKM. Por, sipas ndryshimeve në nenin nr.10 të ligjit, kryeministri ia heq këtë të drejtë Qeverisë dhe ia ngarkon vetes.

Marketing

Në arsyetimet e kreut të shtetit thuhet se ligji nuk garanton plotësisht mbrojtjen e interesit publik. Gjithashtu, ndërmarrja e kësaj iniciative ligjore, thuhet në arsyetimet e Metës, është e pajustifikuar ligjërisht.

Nga shqyrtimi i ligjit nr. 36/2019, konstatohet se ndërmarrja e kësaj iniciative ligjore është e pajustifikuar ligjërisht dhe për më tepër kjo mënyrë e re e lëvrimit të mallrave pjesë e rezervës shtetërore nëpërmjet Urdhërit të Kryeministrit, nuk garanton plotësisht mbrojtjen e interesit publik në procedurat e administrimit dhe lëvrimit të mallrave me vlerë që përbëjnë grupin kryesor të mallrave të rezervave të shtetit.

Bazuar mbi këtë arsyetim, të shpjeguar si më poshtë vijon, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës, vlerëson se ligj nr.36/2019, duhet kthyer në Kuvend, me qëllim rishikimin e tij për të vlerësuar objektivisht nëse miratimi i këtij ndryshimi në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” është vërtet i nevojshëm apo jo”, thuhet në argumentet e Metës.

Dekreti i Metës

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI

D E K R E T

“PËR

KTHIMIN E LIGJIT NR. 36/2019 “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 9900, DATË 10.4.2008, “PËR REZERVAT MATERIALE TË SHTETIT”

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,

D e k r e t o j

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, sipas arsyetimit bashkëlidhur.

Nr. Dekreti 11225
Tiranë, më 15.07.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

Marketing