E konfirmon deputeti i AAK-së: Ka përafrim të qëndrimeve me PSD-në, mund të ketë koalicion

AAK e Ramush Haradinajt e PSD e Shpend Ahmetit po fliten si dy parti të cilat me gjasë do të lidhin koalicion parazgjedhor.

Marketing

Madje sot në media u raportua se këto dy subjekte kanë arritur tashmë marrëveshje, dhe se të hënën do ta bëjnë publik koalicionin, shkruan lajmi.net.

Në lidhje me këtë çështje, për lajmi.net ka folur deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj.

Ai thotë se të dy partitë kanë qenë në bisedime për një koalicion të mundshëm parazgjedhor, mirëpo ende nuk ka diçka konkrete.

“Të dy partitë kanë qenë në bisedime për një koalicion të mundshëm parazgjedhor, dhe e di që ka një përafrim të qëndrimesh. Por asgjë nuk është vendosur ende”, ka thënë Nitaj.

Ai ka bërë të ditur se të hënën ka mbledhje Kryesia e AAK-së, nga ku edhe do të merren vendimet.

“Aleanca e ka mbledhjen e Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të hënën dhe vendimet merren aty. Ma merr mendja që e njëjta procedurë zbatohet edhe në PSD”, ka bërë të ditur Nitaj.

Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga i pari i PSD-së, Shpend Ahmeti, mirëpo nuk e ka marrë një të tillë.

Marketing