E shtuna e veçantë e Mane pas golit, pastron banjat e xhamisë (video)

Që Sadio Mane ishte një djalë i përulur, se nuk e ka harruar akoma origjinën e tij, kjo dihet. Mjafton të mendosh për kohën kur, para finales së Kievit, ka dërguar qindra fanella të Liverpool në fshatin e tij të lindjes, në mënyrë që të gjithë të kishin mundësi ta mbështesnin atë gjatë mbrëmjes më të rëndësishme të karrierës së tij.

Marketing

Kjo natyrë e tij, jashtë skemave të futbollit modern, konfirmohet nga një video e pabesueshme që po qarkullon prej disa orësh në rrjetet sociale. Imazhet tregojnë sulmuesin e Liverpool që po pastron një banjë.

Banja është ajo e xhamisë së Al-Rahma në “Mulgrave Street”, Liverpool, që sipas “Sun”, senegalezi e frekuenton rregullisht. Dhe si çdo pjesëtar i komunitetit të tij, Mane jep ndihmën e tij në vendin e shenjtë. Këtë herë i ka takuar të merret me higjienën. Siç mund të pritej, video ka bërë xhiron e internetit dhe ka marrë shumë klikime. Ky ka qenë suksesi i dytë i ditës për Mane.

Po, sepse video është publikuar vetëm pak orë pas ndeshjes së fituar nga Liverpool kundër Leicester. Një ndeshje që, mes të tjerash, nuk është luajtur në “Anfield”, por në “King Power Stadium”. Kështu, Mane ka luajtur, ka shënuar një nga dy golat për ekipin e Klopp, është kthyer në qytet me pjesën tjetër të ekipit dhe në mbrëmje ka shkuar në xhami.

Mes lutjeve ka gjetur edhe kohën për të pastruar banjën, me ndihmën e një fëmije me të cilin sulmuesi i Liverpool ka bërë edhe shaka. një skenë që tregon se qytetaria dhe përulja e tifozëve të Senegal, të cilët kanë ndihmuar në pastrimin e stadiumeve ku ka luajtur kombëtarja gjatë Botërorit, ndahet edhe nga një prej lojtarëve më përfaqësues të vendit.