Biologu Robert Janevski thotë se analiza e tij biologjike që ua ka bërë gjurmëve në makinën Opel Omega, ka rezultuar me 5 profile njerëzish, 4 prej tyre burra ndërsa njëri profil mes mashkullit dhe femrës, raporton SHENJA. Vetëm një prej profileve përputhet me profilin e të akuzuarit Alil Demiri, ndërsa asnjë prej të tjerëve nuk përputhet.

Avokati Naser Raufi e pyeti biologun nëse kjo do të thotë se Agim Ismailoviçi nuk e ka vozitur Opel Omegan, pasi prej tij nuk ka gjurmë, edhe pse më së shumti gjurmë zakonisht gjenden tek timoni dhe marshi.

Mirëpo, Robert Janevski shpjegoi se kjo mund të jetë rezultat i gjurmëve të fshira. Megjithatë, avokatët insistuan se ka gjurmë tek dera e shoferit dhe kjo duhet t’ia lehtësojë konkluzën për Agimin, por eksperti nuk deshi të japë konkluza të tilla.

Ekspertja e Biologjisë Pavlinka Stefanova zbuloi se gjatë marrjes së gjurmëve në makinën Opel Omega, janë gjetur edhe gjurmë qeni. E pyetur nga avokatja e të dëmtuarve dhe akuzuarve përse nuk e ka shkruar këtë element në raport, ajo tha se nuk ka pasur logjike të ketë lidhje me rastin, pasi bëhet fjalë për kafshë, prandaj e kanë mënjanuar.

Por, pyetjet u bënë në tentativë për të zbuluar se kush e ka vozitur këtë makinë, pasi njëri prej dëshmitarëve të vjetër, një i burgosur, pati thënë se Opel Omega e ka shfrytëzuar policia e njësitit Alfa. Përveç këtij fakti, simptomatike ishte edhe data kur është analizuar makina, pasi ishte më 13 prill – 2012, menjëherë pasditen e nesërme nga vrasja. Edhe pse analiza ishte bërë menjëherë ditën e nesërme, MPB pati njoftuar se e ka gjetur makinën e krimit më 16 prill të vitit 2012.

Komentet