Edhe dy ditë mundësi për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët presidencial

Kandidatët për president të shtetit kanë edhe dy ditë mundësi për mbledhjen e nënshkrimeve. Tani për tani kandidatë të sigurt në garën presidenciale janë Gordana Siljanovska- Davkova, Stevo Pendarovski dhe Blerim Reka.

Marketing

Kandidati i përbashkët i 31 partive politike nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM dhe BDI, Stevo Pendarovski ka marrë përkrahjen e mbi 60 deputetëve në Kuvend. Shefi i shtabit zgjedhor të LSDM-së Aleksandar Kiracovski theksoi se, përkundër asaj që me nënshkrimin e përkrahjes së deputetëve  është përmbushur kushti ligjor për kandidaturën e Pendarovsit, “përkrahje mund t’i japin edhe qytetarët duke vendosur nënshkrimin e tyre personal në njësitë rajonale të KSHZ-së në vend”.

“Deputetët e komuniteteve të ndryshme etnike, nga parti të ndryshme, të bashkuar janë rreth përzgjedhjes së përbashkët për fitore, për avancim, për të ardhme. Stevo është përzgjedhja jonë sepse besojmë se është personalitet me integritet, i  cili do të jetë presidenti i duhur për të gjithë qytetarët i cili do të udhëhiqet nga interesat e qytetarëve dhe të vendit. Deputetët shumë mirë e din se sa e rëndësishme është përzgjedhja e presidentit të shtetit, për qytetarët dhe për Kuvendin”, deklaroi sot në Parlament, Kiracovski.

Republikës së Maqedonisë së Veriut, siç tha, nuk i duhet një Ivanov i ri, nuk i duhet edhe një militant partiak,  i cili është i gatshëm që të veprojë në kundërshtim me interesat e vendit, që të mos e respektojë Kushtetutën, duke punuar vetëm në emrin e partisë dhe të shefit partiak siç na ka ndodhur këto 10 vitet e fundit.

“Shtetit dhe qytetarëve i nevojitet një president i cili   sjell besim dhe siguri, president  i cili ka vizion, punon së bashku me të gjitha forcat progresive dhe demokratike e udhëheq vendin drejt BE-së dhe NATO-s. Stevo është kandidati i duhur për president”, tha Kiracovski.

LSDM-ja në kongresin e mbajtur të dielën e konfirmoi përzgjedhjen e Stevo Pendarovskit si kandidat presidencial. Prej 783 delegatëve të pranishëm, 712 ishin unanimë dhe votuan për Stevo Pendarovskin.

Kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska nënshkrimet e nevojshme i ka mbledhur për vetëm një ditë. Rreth 16 mijë qytetarë janë nënshkruar për të në zyrat e KSHZ-së së vendit.

Edhe pse profesoresha e mori besimin nga shumica e delegatëve të VMRO-DPMNE-së për kandidat të tyre, ajo kërkoi mbështetje edhe nga qytetarët për siç tha, “të tregojë se është kandidate mbipartiake”.

Nënshkrime për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale i ka mbledhur edhe Blerim Reka, të cilin e mbështesin ASH-ja dhe BESA.

Ai dje në pres konferencë ka premtuar fushatë ndryshe nga kandidatë tjerë. “Unë do të mësoj nga qytetarët, presidenti është në shërbim të qytetarëve”, ka theksuar Reka.

Nga KSHZ thonë se për zgjedhjet e gjashta parlamentare për momentin nënshkrime mbledhin shtatë kandidatë.

Mbledhja e nënshkrimeve ka filluar më 23 shkurt, ndërsa do të përfundojë më 9 mars. Dorëzimi i kandidaturave përfundon më 21 mars.

Rrethi i parë zgjedhor është caktuar më 21 prill ndërsa i dyti më 5 maj./МIA

Marketing