Edhe dy qytete do të kyçen në autostradën “Arbën Xhaferi”

Në autostradën “Arbën Xhaferi” e cila lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut pritet të kyçen edhe disa rrugë dytësore.

Marketing

Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj.

“Në autostradën ‘Arbën Xhaferi’ do të kyçet edhe Vitia përmes Gërlicës dhe Ferizaj me një kyçje të re. Krahas këtyre, do të ketë edhe një mbikalim në Paldenicë, për këto është marrë vendim në Qeveri”, deklaroi ministri Lekaj për Telegrafin.

Ministri Lekaj theksoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është duke ndjekur procedurat drejt implementimit të këtij vendimi.

Autostrada “Arbën Xhaferi” është lëshuar për qarkullim në muajin e kaluar.

Autostrada “Arbën Xhaferi” është e gjatë 65.5 kilometra dhe krahas “Bechtel & Enkës”, kanë punuar edhe 900 kompani vendore me gjithsej 9449 punëtorë për pesë vite. Kjo autostradë ka urën më të gjatë në rajon me gjatësi prej 5.7 kilometra.

Buxhetit të vendit, ndërtimi i kësaj autostrade i ka kushtuar 706 milionë euro.

Marketing