LSDM-ja, BDI-ja, PDSH-ja, Aleanca për Shqiptarët, Besa si edhe dy deputetë të pavarur ose gjithsej71 deputetë, kanë konfirmuar pjesëmarrje aktive në fushatën publike për referendumin, duke zhvilluar propagandë “për”. Këtë e konfirmojnë nga kabineti i kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, nga ku po ashtu njoftojnë se deputeti Antonijo Milloshoski si deputet individ ka dërguar shkresë se do të marrë pjesë në fushatë me qëndrim bojkotues, për arsye se është kundër pyetjes së referendumit.

“VMRO DPMNE-ja akoma nuk ka dërguar njoftim ndërsa sipas paralajmërimit të koordinatorit të VMRO-DPMNE-së, këtë do ta bëjnë të mërkurën.”, thonë nga shërbimet e Kuvendit.
E paqartë mbetet nëse Xhaferi do t’ja ofrojë këtë mundësi VMRO-së opozitare duke qenë se afati i fundit për një përgjigje ishte dita e sotme. Koordinatori i grupit parlamnetar të partisë së Mickoskit, Dragan Danev, nuk është paraqitur as në koordinimin e sotëm me kryeparlamentarin Xhaferi.

Në koordinim me grupet tjera parlamentare edhe njëherë është potencuar se deputetët nuk do të marrin para në dorë por Kuvendi do të marrë me qira hapësirë mediatike e cila do të ndahet në mënyrë proporcionale. Për këtë fushatë, Kuvendit i janë ndarë 80 milion denarë nga Qeveria, ndërsa tani ligjvënësi këto mjete do ua ndajë deputetëve që të bëjnë fushatë mediatike.