Edhe një alumni nga ITShKSh, me mbështetje amerikane

Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve i shtohet edhe një alumni nga Programi ndërkombëtar për Lidership i Departamentit të shtetit amerikan.
Blerta Zeqiri, punonjëse e ITSHKSH-së, nga 5-30 prill 2021, ndoqi Projektin rajonal për Evropën me titull “Ballafaqimi me Shtrembërimin dhe Mohimin e Holokaustit”, sponsorizuar nga Departamenti amerikan i shtetit dhe administruar nga World Learning.
Fushëveprimi i këtij projekti kishte një dedikim specifik tematik, në të cilin u trajtuan çështje me interes siç janë: Diskutimi për hapjen e burimeve arkivore dhe programet muzeve në mënyrë që te rritet qasja publike; Eksplorimi i përdorimit të mjeteve multimediale, mbledhja e tregimeve të mbijetuarve dhe dëshmitarëve me qellim që të paraqitet historia e saktë e Holokaustit në mënyrë që të luftohet antisemitizmi në botën modern; Strategjia e komunikimit dhe arsimit e cila duhet përdorur për të nxitur njohuritë e publikut për saktësinë e historisë së Holokaustit dhe të njohin e të përballen me shtrembërimin dhe mohimin e Holokaustit, etj.
E veçanta e këtij projekti ishte përfshirja e zyrtarëve të lartë amerikanë në trajtimin e temës së Holokaustit nga Zyra e të Dërguarit special të çështjeve të Holokaustit në Departamentin e Shtetit si dhe nga Zyrës e të Dërguarit special për monitorimin dhe Luftimin e Antisemitizmit, siç janë: Ambasadori Philip T. Reeker, ambasadorja Michaela Küchler, Dr. Yehuda Bauer, kryetar nderi i Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaust IHRA, Irene Weiss, një e mbijetuar e kampit nazist të Auschwitz, Dr. Robert Williams, zëvendësdrejtor për Programet Ndërkombëtare në Muzeun Memorial të Holokaustit të SHBA së, ambasadori i Izraelit në SHBA Gilad Erdan, senatorët amerikanë Jacky Rosen dhe James Lankford, si dhe sekretari shtetëror i SHBA- ve Antony Blinken.
Me qëllim të trajtimit sa më profesional të kësaj teme, një ndihmesë të pakursyer dhanë edhe: U.S. Holocaust Memorial Museum (Muzeu Memorial i Holokaustit në SHBA) me seli në Uashington, në bashkëpunim me muzetë dhe institutet e shteteve tjera te SHBA-ve siç janë Muzeu i Trashëgimisë Hebraike në Nju Jork, Muzeu Maltz i Trashëgimisë Hebraike & Holokaustit në Ohajo si dhe USC Shoah Foundation Institute Los Angeles, CA.
Një kontribut të jashtëzakonshëm në mbarëvajtjen e Projektit rajonal për Evropën – “Ballafaqimi me Shtrembërimin dhe Mohimin e Holokaustit”, kanë dhënë edhe znj. Cherrie Daniels, e Dërguara speciale për Çështjet e Holokaustit, Departamenti i Shtetit i ShBA-ve si dhe z. Mark Weitzman – drejtor në Qendrën Simon Wiesenthal dhe anëtar i delegacioni zyrtar amerikan në IHRA.
Pjesëmarrja e Blerta Zeqirit në këtë projekt të rëndësishëm vjen si nevojë e profesionalizimit të trajtimit në nivel botëror te çështjes së Holokaustit nga ana e studiuesve dhe hulumtuesve të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në kuadër të të cilit funksionon edhe Departamenti për studimin dhe edukimin e Holokaustit.

Marketing
Marketing