Edi Rama takon Merkel, Berlini jep sinjale për hapjen e negociatave, kërkon hetimin e gjyqtarëve të shkarkuar dhe arrestime “VIP”

Bundestagu gjerman do të vendosë në fund të shtatorit nëse do i thotë “PO” Shqipërisë për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. Kryeministri Edi Rama u takua ditën e djeshme në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel, të cilës i kërkoi mbështetje për negociata. Takimi u mbajt në Kancelarinë Federale, ndërkohë që më pas Rama foli për mediat, duke zbuluar edhe detaje nga takimi. Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë zbuloi se takimi me zonjën Merkel ishte pozitiv dhe shumë inkurajues, ndërsa theksoi se kancelarja gjermane ka vlerësuar reformat integruese të Shqipërisë. “E kemi filluar ditën qysh herët sot, me këto takime dhe do të vazhdoj të takoj edhe grupe të vogla, apo individë të rëndësishëm në Bundestagun gjerman. Por, sigurisht, takimi me Kancelaren ishte ai që kishte rëndësi të veçantë dhe pa dashur të shkoj përtej asaj që mund të them për momentin, edhe në respekt të Kancelares dhe le të themi të konfidencialitetit formal të takimit, Kancelarja pati vlerësime shumë inkurajuese pozitive dhe ajo që është më e rëndësishme, një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur në një përfundim pozitiv, që do të thotë një mbështetje e Gjermanisë për atë çka të gjithë dëshirojmë”, deklaroi ai. Gjermania mbështet Shqipërinë Duke u ndalur tek pritshmëritë që ka Shqipëria, sa i takon negociatave, kryeministri Edi Rama theksoi se Gjermania mbështet integrimin e vendit tonë drejt familjes Evropiane, ndërsa shprehu vendosmërinë e tij për të thelluar edhe më shumë reformat, në mënyrë që të mos zhgënjejë asnjë nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. “Ne po punojmë intensivisht për aq sa mund të bëjmë. Jemi të vetëdijshëm se vendimi gjithsesi ka të bëjë më pak me ne dhe me çfarë bëjmë ne dhe më shumë me vendet dhe me çfarë ato kërkojnë në radhë të parë nga BE, që, siç e ka thënë presidenti francez, nuk funksionon me 28, si mund të funksionojë me më shumë, etj. dhe sigurisht në raport me opinionet e tyre publike që është një problem i mirë kuptueshëm më vete. Patjetër që një pozicion pozitiv i Gjermanisë do të thotë shumë. Gjermania është një zë, le të themi, jo si të gjithë të tjerët në familjen e Evropës së bashkuar dhe ne do të bëjmë çmos që ky zë të jetë në favor të Shqipërisë”, nënvizoi ai. Kryeministri Edi Rama nisi dje takimit në Gjermani herët në mëngjes, me përfaqësues të Bundestagut. Berlini kërkon arrestime “VIP” Por pavarësisht se kancelaria Angela Merkel ka dhënë sinjale se do të mbështesë çeljen e negociatave për vendin, priten dhe disa kushte që Shqipëria duhet të përmbushë në vijim. Sipas informacioneve, qeveria gjermane i ka dërguar një dokument Bundestagut, i cili mban firmën e ministrit gjerman për Evropën, Michael Roth, ku propozohet vota pro për Shqipërinë, por duke renditur 8 kushte që duhen plotësuar. Në këtë letër, që Roth i dërgon Bundestagut saktësohet qëndrimi i qeverisë gjermane, që kërkon një votë pro çeljes së negociatave, ku njëri nga kushtet është përfundimi i reformës zgjedhore. Por duket se ky nuk është kushti i vetëm që Gjermania kërkon t’i vendoset Shqipërisë. Nga ana e qeverisë gjermane kërkohet ndjekja penale e gjyqtarëve e prokurorëve të shkarkuar nga vetingu, si dhe të luftohet korrupsionin në nivel zyrtarësh të lartë. Po ashtu, në letrën drejtuar Bundestagut kërkohet edhe ngritja e SPAK dhe BKH. “Fillimi i procedurave penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët akuzohen për sjellje të ndëshkueshme në të ashtuquajturin proces verifikimi; krijimi i SPAK; përpjekjet e rritura për të siguruar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme dhe SPAK, duke pajisur ata me një numër të duhur të gjyqtarëve dhe prokurorëve; të bëjë përparim solid në ndërtimin e një rekordi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet; progres i prekshëm përfshirë në reformën administrative”, thuhet në letër. Pra, kjo tregon se Berlini po jep sinjale për hapjen e negociatave, nëse plotësohen këto kushte.

Marketing
Marketing