Gjykimi i ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe dënimi me dy vjet burgim ka shkaktuar zemërimin e partisë së tij, VMRO DPMNE, të cilin e ka drejtuar për 15 vjet, por drejtuesit e rinj nuk do ta bojkotojnë Kuvendin, pavarësisht largimit nga seanca, të mërkurën, kur edhe u shqiptua dënimi ndaj ish-kreut partiak.

Kjo është bërë e ditur nga kryetari i ri i kësaj partie politike, Hristijan Mickovski, në duelin e parë televiziv me kryeministrin Zoran Zaev. Nga VMRO-ja kanë përsëritur qëndrimin se gjykimi i Gruevskit është i motivuar politikisht nga kryeministri Zoran Zaev.

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se vendimet e para gjyqësore kundër ish-zyrtarëve të dyshuar për vepra të ndryshme penale, janë mesazh se drejtësia ka filluar të vendoset në Maqedoni. “Ajo që në këtë rast është më e rëndësishme, ka të bëjë me vendosjen e parimit se askush nuk mund të mbetet pa u dënuar, përfshirë edhe personat që kanë pasur pozita të larta shtetërore, apo njerëz të fuqishëm siç ka qenë edhe Nikolla Gruevski. Kështu që nga ky aktgjykim përçohet mesazhi se askush nuk mund të jetë mbi ligjin apo të mos përgjigjet në bazë të ligjit për veprat penale që ka bërë”, thotë Besa Arifi, profesore në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski, thotë se aktvendimet e shqiptuara janë hap pozitiv për rikthimin e besimit të humbur në pushtetin gjyqësor.
“Mendoj se me këto lëndë dhe këto vendime të shqiptuara tashmë më ka filluar procesi i kthimit të besimit në gjyqësor. Por, ende është herët pasi jemi në fillim të reformave dhe për ngritjen e sistemit në këmbë të shëndosha duhet ende punë”, thotë Ivanovski.

Kundër ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, janë duke u zhvilluar edhe katër procese tjera gjyqësore, për vepra edhe më të rënda bazuar në dispozitat e Kodit Penal. Në një rast, ai akuzohet për falsifikim të zgjedhjeve, ndërsa në tri rastet tjera, për kurdisje tenderësh dhe dhunë të porositur për kundërshtarët politik.

Sipas ekspertëve, për gjithë këto raste, ai mund të dënohet më me shumë se 15 vjet burgim. “Ky është vetëm njëri nga pesë rastet ku i akuzuar është Gruevski, kështu që do të shohim se si do të zhvillohen këto procese gjyqësore. Unë pres që të ketë edhe dënime të tjera serioze që ai duhet t’i marrë, e që do të jetë një mësim për të gjithë të tjerët që janë në pozita të larta shtetërore se nuk ia vlen të merren me krime, sepse pasojat janë shumë më të rënda se sa përfitimet momentale”, thekson Besa Arifi.

Proceset gjyqësore kundër ish-zyrtarëve, kanë për bazë aferën e përgjimeve prej nga edhe kanë dalë të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale, e cila ishte formuar për hetimet e keqpërdorimeve të bëra nga pushteti i kaluar. Sistemi gjyqësor në Maqedoni ka qenë në shënjestër të kritikave të vazhdueshme në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare.