Ekspertët: Veting urgjent për gjykatësit

Pas rizgjedhjes së parealizuar të gjykatësve, temë e cila u hap gjatë fushatës zgjedhore, së fundmi është ngritur çështja e vetingut ose kontrollit të gjykatësve. Disa analistë juridikë, konsiderojnë se kjo është gjëja e parë që duhet bërë, që të kemi reforma thelbësore në sistemin gjyqësor. Ish-prokurori Aleksandar Nakov, thotë se me ndryshimet eventuale ligjore, vetingu i gjykatësve lehtë do të zbatohej në vend.

Marketing

“Kjo është mënyrë e kontrollimit dhe freskimit të gjyqësorit, si një mënyrë për reforma në vetë gjyqësorin. Me këtë bëhet shqyrtim i gjendjes materiale të gjykatësve, integritetit dhe kapacitetit të tyre personal, por edhe i rezultateve të arritura gjatë punës së tyre”, tha ish-prokurori, Aleksandar Nakov.

Si shembull për këtë hap, më së shpeshti përmendet Shqipëria. Edhe nga Koalicioni për Gjykim të Drejtë, thanë se në kushte në të cilat gjendet sistemi gjyqësor në Maqedoni, përmirësimi i vetëm i gjendjes, e cila për vite me radhë kritikohet në raportet vendore dhe ndërkombëtare, është kontrolli i gjykatësve.

“Shembulli më i afërt të cilin do ta kisha përmendur është Republika e Shqipërisë. Reformat e fundit të cilat i kanë bërë ata si shtet, është procesi i vetingut të gjykatësve, i cili për fat të keq tek ne nuk u lejua dhe nuk u zbatua. Mendoj se për të bërë ndonjë reformë thelbësore, kjo është një nga mënyrat më të përshtatshme në kushtet në të cilat është gjyqësori në Maqedoni për momentin”, deklaroi nga Koalicioni për Gjykim të Drejtë, Natali Petrovska.

Nevojën për një hap të tillë, Nakov e arsyeton edhe me Raportin e Ministrisë së Drejtësisë, në të cilin janë cekur një sërë parregullsish gjatë shpërndarjes kompjuterike të lëndëve nëpër gjykata.

“E gjithë ajo që ka rrjedhur nga raporti i AKMIS-it, është e qartë se do të duhet Prokuroria Publike të zgjohet nga gjumi dhe të ngrejë hetime që të ketë akuza të qëndrueshme për gjykatës si nga Gjykata Supreme, ashtu edhe nga Gjykata Themelore, në të cilat në mënyrë drastike shkelej zbatimi i sistemit, në fakt aspak nuk përdorej sistemi AKMIS”, shtoi ish-prokurori Nakov.

Reforma në sektorin e gjyqësorit dhe hetimet proaktive janë pjesë e kushteve të cilat vendi duhet t’i përmbushë deri në qershor të vitit të ardhshëm nëse dëshiron t’i fillojë negociatat për hyrje në BE.