Për mbi 2.500 familje nevojtarësh mish kurbani dhe ndihma të tjera të llojllojshme
Përfundimi me sukses i aktiviteteve me rastin e Kurban Bajramit, edhe një herë  dëshmoi se solideriteti në vendin tonë është në një nivel të lartë. “El Hilal”-i grumbulloi gjithsej 675 kurbane ose autorizime për një hise të kurbanit.
Pas organizimit të therjes, mishin e kurbanit e shpërndau në 11 vende në Maqedoni, ndërkaq kurbane përveç në selinë e organizatës u grumbulluan edhe në degën e  Shkupit, përkatësisht të Çairit dhe  Tetovës, Gostivarit, Gazi Babës Kërçovës, Ohrit dhe Resnjës. Sa për ilustrim, vetëm në fshatin Krani janë dhuruar 103 kurbane.
Kurbanet u siguruan edhe nga diaspora shqiptare,  përkatësisht nga Organizata “Hasene” nga Gjermania dhe “Yardımeli” si dhe bamirës tjerë nga Turqia.
Pas therjes së kurbaneve,  aktivistët e palodhshëm të “El Hilal”-it, pakot që përmbanin 4-6 kg. mish i shpërndanë për mbi 2. 500 nevojtarë të regjistruar  në listat e degëve të “El Hilal”-it.
Përveç në vendet ku u grumbulluan kurbanet,  mishi u shpërnda edhe në Saraj, Karshiakë, Kumanovë dhe Veles. Mjetet nga shitja e lëkurave do të shkojnë për fondin e bursave studentore.
OH “El Hilal“, me rastin e Kurban bajramit shpërndau edhe ndihma  tjera si: veshmbathje, batanije, artikuj ushqimorë dhe mjete higjienike. Këtë aktivitet,  ku ndihma fituan rreth 500 familje, realizuan degët e Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit.