Elezi: Përkrahje më e madhe ndaj biznesit në buxhetin e ri!

Sektori privat është një gjenerues i rëndësishëm i rritjes ekonomike dhe për këtë arsye Qeveria mbetet e përkushtuar të krijojë politika të përshtatshme në përgjigje ndaj sfidave kryesore me të cilat përballet ky sektor, kështu thekson zëvendësministrja e financave Shiret Elezi pas prezantimit të Propozim-buxhetit për vitin 2020, ndërkohë që ka sqaruar edhe masat përmes të cilave do bëhet subvencionimi, mbështetja ndaj kompanive dhe masat aktive të punësimit ku do të injektojnë 6.7 miliardë denarë në sektorin privat.

Marketing

“Masa për subvencionimin e kontributeve të pagave për ato kompani që do të rrisin pagat nga 600 në 6000 denarë janë siguruar 2.4 miliard denarë. Kjo masë jo vetëm që adreson problemin e tërheqjes, mbajtjes dhe motivimit të stafit cilësor, por është hartuar në mënyrë sistematike dhe të qëndrueshme, pasi kontributet për pagat e ngritura do të rrjedhin drejtpërdrejt në fondet”, vlerëson kështu Elezi.
Zëvendësministrja e financave theksoi se 3 miliardë denarë u alokuan për rritjen e konkurrencës në sektorin privat përmes masave për investime të reja, masave për të mbështetur eksportet dhe pushtimin e tregjeve të reja, mbështetje për krijimin e vendeve të punës, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, inovacion, zhvillimi teknologjik dhe kërkimet, si dhe investimet e huaja në zonat teknologjike të zhvillimit industrial.

Elezi thekson se edhe me politikat aktive të punësimit në vlerë prej 1.3 miliardë denarë do të mbështetet biznesi privat pasiqë mundëson rikualifikimin e stafit për të përmbushur nevojat e këtij sektori.

“Qëllimi i mbështetjes së kompanive të vogla dhe të mesme është rritja e pragut të TVSH-së, i cili do të jetë 2 milion denarë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Kjo do të zvogëlojë barrën administrative si për taksapaguesit ashtu edhe për administratën tatimore, duke çliruar kështu aftësinë për të adresuar ekonominë gri si një sfidë të vërtetë për rritjen ekonomike”, thotë Elezi.

Ajo mes tjerave thtoë se shpenzimet kapitale për vitin 2020 janë të parashikuara në nivelin prej 23.6 miliardë denarë dhe do të nxisin gjithashtu rritjen ekonomike. Projeksioni për shpenzimet kapitale për vitin e ardhshëm është midis parashikimit fillestar të këtij viti dhe ribalancit, që është në përputhje me realizimin e deritanishëm dhe kapacitetet e përdoruesve të buxhetit.

“Me këtë, ne duam të tregojmë një diskurs tjetër të planifikimit të investimeve kapitale. Në këtë drejtim, Ministria e Financave dy javë më parë doli me një metodë të re për transparencë duke monitoruar realizimin e shpenzimeve kapitale. Ju ftoj ta vizitoni të paktën një herë në muaj dhe të kontribuoni për një realizim më të mirë të kësaj metode”, sqaron mes tjerave zëvendësministrja Elezi.

Përndryshe, të ardhurat në Propozim – buxhetin për vitin 2020 kanë parashikuar anën e të ardhurave prej 222 miliardë e 300 milion denarë (3 miliardë e 615 milion), një rritje prej 5.6% krahasuar me këtë vit. Për sa i përket anës së shpenzimeve të Buxhetit, rritja planifikohet të jetë me 5% më shumë krahasuar me vitin e kaluar, me shpenzimet totale në 239 miliardë dhe 700 milion denarë (3 miliardë 898 milion euro).

Deficiti buxhetor për vitin 2020 është parashikuar të jetë 2.3% nga BPK, më i ulët se në vitin 2019, në përputhje me Strategjinë fiskale 2020-2022 dhe rekomandimet e të gjitha organizatave ndërkombëtare. Deficiti gjithashtu u ul me sasi absolute për 160 milion denarë dhe arriti në 17 miliardë 385 milion denar.
SHARE00