Emigrantët në Vaksincë, lirohet i dyshuari që i trafikonte

Një ditë pas bastisjen në fshatin Vaksincë të Likovës ku u gjetën të ngujuar 81 emigrantë nga Lindja e Mesme, Prokuroria për krim të organizuar nuk ka një përgjigje konkrete mbi masën e kujdesit për të dyshuarin e parë Naim Alili.

Marketing

Pas arrestimit dhe bisedës informative në policinë e Kumanovës, Alili dje u la i lirë pavarësisht se burime policore konfirmojnë se dyshohet për veprën kontrabandë me emigrantë.

Nga organi për ngritjen e akuzës thonë shkurt se hetimi është në procedurë e sipër dhe se pritet ndërmarrja e masave, duke mos hedhur poshtë mundësinë së bëhet fjalë për një rrjet më të madh trafikantësh.

Ditë më parë, policia mbi bazën e masave operative në një aksion të përbashkët me policinë e Tetovës, bastisën një objekt në pronësi të Naim Alilit nga fshati Vaksincë ku u gjetën 81 emigrantë, 19 prej të cilëve të moshës së mitur. Organet e rendit emigrantët i dorëzuan në Qendrën e pranimit në Tabanovc.