Emisari special i Trump-it për dialogun sot vjen në Prishtinë

Richard Grenell, i dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi sot pritet të qëndrojë në Kosovë. Siç bëhet e ditur, Grenell do të takohet me presidentin Hashim Thaçi dhe se ky takim është paralajmëruar nga presidenca. Ambasadori Grenell javën e kaluar u emërua nga presidenti Donald Trump si i dërguar special i SHBA-ve për dialogun Kosovë – Serbi.

Marketing

Ky vendim është vlerësuar si befasues, pasi Departamenti amerikan i Shtetit, në fund të gushtit, ka emëruar diplomatin Matthew Palmer të dërguar të posaçëm për Ballkanin, i cili është thënë se, mes tjerash, do të merret edhe me dialogun. Bashkimi Evropian po ashtu pritet të emërojë të dërguarin e tij, që do të merret me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Grenell aktualisht është edhe ambasador i SHBA-ve në Gjermani. Ndërkohë, nuk ka njoftime se emisari amerikan a do të takojë edhe përfaqësues të tjerë politik në Kosovë, pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Richard A.

Grenell ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani që nga 8 maji i vitit 2018. Grenell është shkrimtar dhe komentues i politikës së jashtme dhe ka themeluar firmën ndërkombëtare konsultuese Capitol Media Partners në vitin 2010.
Grenell është personi që ka shërbyer më së gjati si zëdhënës i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara (2001 – 2008) dhe gjatë kësaj kohe ai ka punuar për katër ambasadorë. Ai ka diplomuar në Evangel University dhe ka magjistruar në fushën e administratës publike në Fakultetin e Qeverisë John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit.

Marketing