“Emri”, në pritje të telefonatës Zaev-Cipras

Sot pritet të ndodhë biseda telefonike mes kryeministrit, Zoran Zaev dhe homologut të tij grek, Aleksis Cipras për çështjen e emrit. Dëshmi për këtë sipas mediave greke është takimi jo i rregullt i krye-diplomatit grek, Nikos Kocias me kryeministrin, Cipras. Kocias që nga mëngjesi ndodhet në godinën e kryeministrisë, ndërsa përmes një postimi në rrjetin social Twitter tashmë ka paralajmëruar se për zhvillimet rreth emrit do të deklarohet në televizionin grek, Kontra News, me fillim në ora 19:30.

Se biseda telefonike e paralajmëruar dhjetëra ditë më parë do të ndodhë sot, shkruan edhe portali Makfax. Kjo e fundit duke cituar burime të larta diplomatike raporton se negociatat nuk janë në fazën “Merre ose leje!” Sipas Makfax, gjatë fundjavës këshilltarët e dy vendeve kanë biseduar dhe kanë arritur progres. Ata kanë vërtetuar përkushtim për arritjen e marrëveshjes, duke propozuar zgjidhje të mundshme, me ç’rast pala maqedonase ka ofruar zgjidhje kreative për mbrojtjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase. Pas bisedës mes këshilltarëve, kryeministri, Zaev me krye-diplomatin, Nikolla Dimitrov dhe këshilltarin, Dane Talevski janë konsultuar që të unifikojnë një qëndrim për çështjet që akoma nuk janë mbyllur.

evn