Po kalojnë edhe orët vendimtare për çështjen e emrit, por pa asnjë qëndrim konkret nga Qeveria e Maqedonisë.

Në këtë drejtim, po zvarritet edhe telefonata mes Zoran Zaev dhe homologut tij grek, Aleksis Cipras. Pala vendase por edhe jo greke theksojnë se kanë bërë progres të mjaftueshëm në bisedime dhe se gjenden pranë zgjidhjes përfundimtare, por zvarritja e bisedës telefonike mes dy kryeministrave ka shtuar reagimet në opinion. A kanë dështuar bisedimet?, ishte pyetja që gazetarët i drejtuan kryeministrit. Po ky i fundit tha se për çështje serioze nuk flet në prezencë të fëmijëve.

“E dini. Kur jam me fëmijë nuk jap deklarata. Ju lutem” – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër

Qeveria sot iu përgjigj spekulimeve për dështimin e negociatave të cilat morën hovë një ditë më parë. Duke arsyetuar vonesat, organi ekzekutiv kumton se rëndësi ka produkti final që do të dalë nga marrëveshja.

Qeveria e Maqedonisë
“Në këto momente kaq të rëndësishme, spekulimet nuk mund të kontribuojnë aspak në këtë qëllim me interes kombëtar. Qeveria mbetet fuqishëm e përkushtuar në realizimin e qëllimeve strategjike, anëtarësimin në BE dhe NATO dhe kuptohet që për realizimin e tyre është e domosdoshme të kalohet problemi që Greqia ka me emrin tonë kushtetues”.

Që nga takimi i fundit në nivel të ministrave të jashtëm kur edhe hartua korniza për marrëveshje për emrin, palët njoftuan se tani çështja kalon në nivel kryeministrash. Zaev që atëherë dha disa data të mundshme në të cilat do të zhvilloheshte bisedë telefonike me kryeministrin grek, por deri sot asnjë lëvizje nga i pari i Qeverisë vendase. Opozita nga ana tjetër hedh dyshimet se palët janë marrë vesh që si opsion të kenë edhe zvarritjen e marrëveshjes për disa muaj.