Epidemia e fruthit: Deri më tani janë vaksinuar gjithsej 29,857 fëmijë, ka 70 raste të reja

Numri i përgjithshëm i personave të vaksinuar të moshës deri 14 vjeç me vaksinën MRP, nga fillimi i epidemisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është 29,857. Prej tyre 15,250 fëmijë janë vaksinuar në territorin e qytetit të Shkupit, ndërsa 14,607 fëmijë janë vaksinuar në pjesën tjetër të vendit, njoftoi sot Ministria e shëndetësisë, njofton Portalb.mk.

Marketing

“Prindërit e kuptuan rëndësinë e vaksinimit të fëmijëve me kohë. S’ka tjetër teknologji mjekësore më efektive që e ka mbrojtur dhe promovuar shëndetin e njeriut si vaksinimi. Është e vetmja masë për t’u mbrojtur kundër fruthit” thekson ministria në komunikatë.

Në raportin e Komisionit Evropian thuhet se Ministria e shëndetësisë ka ndërmarrë hapa për të kontrolluar situatën me epideminë përmes vaksinimit të drejtpërdrejtë në shkolla dhe kopshte dhe për të filluar fushatë të madhe të vaksinimit.

Javën e kaluar janë raportuar 70 raste të reja të fruthit, që është për 17 raste më pak në krahasim me një javë më parë.

Dje, është kontrolluar dhe hospitalizuar një paciente me diagnozë të fruthit. Është paciente 44 vjeçe nga Negotina i cila s’ka qenë e vaksinuar. Në Klinikën për sëmundje infektive aktualisht janë duke u trajtuar gjithsej 14 pacientë , nga të cilët 12 janë të rritur, ndërsa 2 fëmijë. Në njësinë e kujdesit intensiv vazhdon trajtimi i një pacienteje 16-vjeçe me paralizë cerebrale dhe EPI pas fruthit dhe pneumonisë masive.

Në mënyrë kumulative në vendin tonë, nga fillimi i epidemisë në dhjetor të vitit 2018, deri më tani janë regjistruar 1.891 raste të fruthit me një incidencë prej 91,4 në 100.000 banorë.

“Vetëm me normë të vaksinimit mbi 95 për qind të popullsisë, do të sigurojmë imunitet kolektiv dhe do ta pamundësojmë përhapjen e virusit në popullatë. Të gjithë fëmijët që janë të pavaksinuar, për t’u mbrojtur nga sëmundja, duhet të vaksinohen menjëherë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Marketing