Epidemia e fruthit, deri tani janë vaksinuar mbi 1100 persona

Pas shpalljes se epidemisë së fruthit në punktet e vaksinimit në klinikat në “Bit Pazar”, “Jane Sandanski” dhe “Bukuresht”, vaksinimi i fëmijëve vazhdon, por me intensitet më të ulët, njofton “TVM2”.

Marketing

Vaksina sot morën 21 fëmijë duke e rritur kështu numrin e të vaksinuarve që nga shpallja e epidemisë, në 1.079. Mjekët apelojnë që prindërit të cilët kanë dilema për vaksinimin e fëmijëve të tyre, të konsultohen me mjekun amë e jo të marrin informata nga interneti.

Ata përkujtojnë se vaksinat janë e vetmja mënyrë për parandalimin e shumë sëmundjeve dhe se vaksinimi i fëmijëve është i detyrueshëm.

“Vaksinimi është i detyrueshëm për shkak se shumë sëmundje infektive, të cilat lënë komplikime të rënda, pasoja të rënda, disa janë edhe vdekjeprurëse, prandaj çdo fëmijë duhet të vaksinohet sipas kalendarit të imunizimit. Apeloj dhe i ftoj të gjithë prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse e vetmja mënyrë që mund të mbrohemi nga sëmundjet e ndryshme infektive është vaksinimi”,- tha mjekja, Melehate Bekteshi.

Nga 104.800 fëmijë të moshës nën 14 vjeçare në Shkup, 15 mijë nuk janë vaksinuar. Autoritetet shëndetësore thonë se shkak i këtij vaksinimi të ulët janë edhe fushata anti-vaksinimit dhe autoritetet thonë se do të insistojnë në ndryshime ligjore përmes të cilave do t’u pamundësohet fëmijëve të pavaksinuar që të ndjekin mësimin në kopshte e shkolla. Prindërit që nuk i vaksinojnë fëmijët, do të dënohen me gjoba prej 350 deri në 650 euro.

Marketing