Epidemia e fruthit, filloi vaksinimi i fëmijëve në 11 shkolla të Shkupit

Në 11 shkolla të 4 komunave në Shkup, filloi vaksinimi i më shumë se 480 fëmijëve kundër fruthit. Autoritetet shëndetësore shpresojnë që ky vaksinim i ri në shkolla do të jetë më i suksesshëm sesa vaksinimi paraprak që u bë menjëherë pas shpalljes së parë të epidemisë në Shkup.

Marketing

“Sipas njohurive tona, në rrethin e parë të vaksinimit në terren nuk ishin vaksinuar rreth 3.800 fëmijë. Prej tyre ishin vaksinuar vetëm rreth 300 fëmijë, që nuk është përqindje e kënaqshme. Për atë në dhjetë ditët e fundit presim ta përsërisim këtë vaksinim në terren dhe ta rrisim përqindjen e vaksinimit të fëmijëve”,- tha drejtori i Shtëpisë së Shëndetit- Shkup, Zllate Mehmedoviq.

Mehmedoviq pranon se vaksinimi i parë nuk u organizua si duhet. Shkollat dhe komunat nuk kanë bashkëpunuar me autoritetet shëndetësore, që të mundësojnë qasje të pandërprerë të ekipeve të tyre të vaksinimit deri te nxënësit.

“Tani është ngritur vetëdija për atë se sa e madhe është nevoja për vaksinim. Ministria e Arsimit në mënyrë aktive u përfshi me përkrahje të procesit të vaksinimit në shkolla. Ministria e Shëndetësisë dha rekomandime të qarta dhe urdhra për atë se si duhet të zhvillohet dhe presim këtë herë përqindja të jetë më e madhe”,- deklaroi drejtori i Shtëpisë së Shëndetit- Shkup, Zllate Mehmedoviq.

Aktualisht nuk ka ndonjë reagim nga prindërit që nuk dëshirojnë të vaksinojnë fëmijët.

Marketing