Erdoğan mesazh ngushëllimi për viktimat e aksidentit në Maqedoni

 Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka shprehur ngushëllime për Maqedoninë e Veriut me rastin e aksidentit të djeshëm fatal në autostradën Shkup-Tetovë, në të cilin humbën jetën 14 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Sipas të dhënave të siguruara, Erdoğan në një deklaratë është shprehur se e ka mësuar me pikëllim të thellë lajmin për vdekjen e 14 personave dhe lëndimin e mbi 30 të tjerëve.

Erdoğan u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të aksidentit dhe popullit të Maqedonisë së Veriut, duke uruar po ashtu shërim të shpejtë për të lënduarit.

Ngushëllime ka shprehur edhe Ministria e Jashtme e Turqisë përmes një deklarate me shkrim.

“Është mësuar me pikëllim lajmi për vdekjen e 14 personave dhe lëndimin e shumë të tjerëve si pasojë e përmbysjes së një autobusi në afërsi të Shkupit në orët e mbrëmjes. Shprehim ngushëllimet tona për familjet e viktimave që kanë humbur jetën në aksident dhe për popullin vëlla të Maqedonisë, ndërsa u urojmë shërim të shpejtë atyre që janë lënduar”, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë se mbrëmë një autobus me pasagjerë u përmbys në autostradën Shkup-Tetovë, ku si pasojë 14 persona humbën jetën, ndërsa mbi 30 u lënduan.

Marketing