Erdogan: Nuk lejojmë kërcënimet e Greqisë karshi nesh

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se sjellja e pamatur e Greqisë dhe Qipros Jugore me mbështetjen e disa shteteve evropiane do të jetë kërcënim fillimisht për ata vetë, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

“Sjelljet e pamatura të Greqisë, e cila ka pas vete disa vende evropiane, dhe Qipros Jugore, e cila vepron së bashku me të, është bërë kërcënim dhe rrezik fillimisht për ata vetë”, tha Erdoğan duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij (AK Parti).

Erdoğan theksoi se vendi i tij nuk do të ofrojë mundësi për vendet që duan të fitojnë dominim ekonomik dhe politik në Mesdheun Lindor pa pasur ndonjë të drejtë.

“Turqia është e vendosur të përdorë plotësisht të drejtat e saj që burojnë nga e drejta ndërkombëtare mbi mosmarrëveshjet në Detin Egje dhe çështjen e Qipros”, tha presidenti turk.

“Nuk do të bëjmë as lëshimin më të vogël lidhur me qëndrimet tona mbi Mesdheun Lindor apo ndonjë rajon tjetër”, shtoi Erdoğan.

Të hënën, Turqia filloi punët përgatitore për shpime në ujë të cekët në Detin Mesdhe, në brigjet e provincës Mersin në Turqinë jugore.

Më 30 tetor, anija e parë e shpimit e Turqisë, Fatih, filloi të kryejë shpimet e saj të para të thella në Antalya, në brigjet jugore të Mesdheut.

– “Duam që Deti i Zi të bëhet det i paqes”

Presidenti turk riafirmoi thirrjen e tij për dialog midis Rusisë dhe Ukrainës lidhur me mosmarrëveshjen në Detin Azov.

“Ne duam që Deti i Zi të bëhet det i paqes”, deklaroi Erdoğan.

Ai tha se Turqia do të ishte “e kënaqur” ta shihte Rusinë dhe Ukrainën “krah për krah” teksa vazhdojnë kërcënimet serioze në botë.

Të dielën, Rusia konfiskoi tri anije të flotës ukrainase në Detin Azov në afërsi të Krimesë, gadishullit që aktualisht kontrollohet nga Rusia.

Rusia tha se anijet kishin injoruar thirrjet për të ndaluar, duke shkaktuar aksion ushtarak.

Rusia ndërhyri gjersa anijet ukrainase po zhvendoseshin nga Odesa në Portin e Mariupolit në Detin Azov.

Flota ukrainase akuzoi Rusinë për hapje zjarr ndaj anijeve të saj luftarake, duke shtuar se anëtarët e ekuipazhit u plagosën dhe anijet saj u konfiskuan nga Rusia.

Rusia dhe Ukraina kanë qenë në mosmarrëveshje që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë pas një referendumi kontrovers.

Ukraina gjithashtu ka fajësuar Rusinë për dhunë dhe separatizëm në Ukrainën lindore, pranë kufirit me Rusinë.

Presidenti i Turqisë foli edhe në lidhje me organizatën terroriste DEASH, duke thënë se vendi i tij zotohet se brenda disa muajve do t’i japë fund mbetjeve të kësaj organizate.

Ai potencoi se në Siri nuk ekziston DEASH, por vetëm banda të vogla të trajnuara dhe pajisura për të krijuar kaos në vend nën petkun e DEASH-it.

Marketing