Erdogan viziton rajonin e goditur nga përmbytjet, premton më shumë ndihmë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan sot premtoi më shumë ndihmë për rajonin e Detit të Zi në Turqi të goditur nga përmbytjet, ndërsa vizitoi zonën ku të paktën 6 persona humbën jetën dhe dy të tjerë llogariten të zhdukur si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës të shkaktuara nga reshjet të dendura të shiut javën e kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

“Në fazën e parë, ne do të ndërtojmë në total 550 ndërtesa për strukturat që u prekën nga katastrofa e përmbytjes më 15 korrik dhe janë në rrezik të katastrofës në të gjithë Rize-në”, tha Erdoğan para një turme në qarkun Guneysu të qytetit të tij të lindjes Rize.

Rreth 3 milionë lira turke (350 mijë dollarë) tashmë janë dorëzuar për ndihmën e rajonit dhe ndihmat për qira dhe zhvendosje u janë dhënë viktimave të përmbytjes në Rize, tha presidenti.

Erdoğan gjithashtu tha se 665 ndërtesa është konstatuar se janë nën rrezik të përmbytjeve në Rize. “Ndërsa kjo zonë po evakuohet, ne jemi duke realizuar projektet tona për shërimin e plagëve”, tha ai.

“Uji furnizohet në të gjithë zonën e katastrofës dhe nuk ka asnjë problem me ujin e pijshëm, energjinë ose komunikimin”, shtoi Erdoğan.

Vetëm në Rize, deri më tani 2.860 personel, përfshirë 328 anëtarë të ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit si dhe 705 automjete kanë punuar, tha Erdoğan. “Pothuajse të gjitha 426 rrugët që u mbyllën për shkak të përmbytjeve janë hapur për trafik”, tha ai.

Provinca fqinje Artvin gjithashtu është prekur nga reshjet e dendura ndërsa rreth 200 persona janë evakuuar për shkak të përmbytjeve në rajon të enjten.

Lumi Arhavi doli nga shtrati për shkak të shiut të madh, duke ndikuar keq në qendrën e qarkut dhe rrugët e fshatit në Artvin, tha Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca tha në Twitter se një person i cili u shpëtua nga rrënojat në Arhavi dhe u dërgua në spital ishte në gjendje të mirë.

Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Adil Karaismailoglu gjithashtu vizituan rajonin e goditur nga përmbytjet të enjten.