EVN vendosi t’ia ndërpresë energjinë elektrike kompanisë nga Prilepi Eurokopmozit për shkak të borxhit të papaguar, i cili jozyrtarisht ka vajtur deri në 100 mijë euro. Të punësuarit janë dërguar në shtëpi dhe thonë se nuk kanë punë.

Për shkak të situatës dhe problemit të pazgjidhur në lidhje me 130 të punësuarit që janë shpallur si tepricë teknologjike, sindikata paralajmëroi protesta të reja për të martën, duke vendosur tenda para Qeverisë.

“Duhet të zgjidhet problemi me tepricën teknologjike, me rrogat e papaguara dhe me kontributet. Më problematike janë kontributet. Nuk na i kanë paguar kontributet për 6 vjet e gjysmë. Të punësuarit që dalin në pension, marrin pensione më të ulëta për tre deri katër mijë denarë më pak”, tha Robert Bogdanovski, Kryetar i Sindikatës.

Të zhgënjyer janë nga fakti se edhepse para një jave mbajtën konferencë për media për problemet e tyre, nga Qeveria deri më sot askush nuk i ka kontaktuar.

“Nuk kemi punë. Nuk kemi sigurim shëndetësor dhe nuk dihet nëse do të marrim rrogë deri me 15-tin. Nuk kemi asnjë informacion se a po ndërmerret diçka në lidhje me tepricën teknologjike, apo në lidhje me shitjen e kompanisë dhe kontributet e papaguara”, u shpreh Pece Veljanovski, Anëtar i Sindikatës.

Drejtori i “Eurokompozit”, Zllatko Graoroski, nuk deshi të japë më shumë detaje rreth situatës aktuale. Përmes telefonit ai na tha se sot apo nesër do të lëshohet energjia elektrike, ndërsa për tepricën teknologjike tha se kompetencat i ka Qeveria.

Të punësuarit e Eurokompozit-it në korrik të këtij viti protestuan para Qeverisë, por e ndërprenë grevën duke pranuar ofertën që tu paguhen dy rroga, përkatësisht 30 mijë denarë. Nga e gjithë situata 130 punëtorë duhet të shpallen si tepricë teknologjike ndërsa kompanisë t’i sigurohen materialet e nevojshme për prodhimtari të vazhdueshme.

Në atë takim me zv/kryeministrin Koço Angjushev, të punësuarit dhe Sindikata e industrisë, energjetikës dhe xehetarisë, u bindën se do të zgjidhet problemi i kompanisë së falimentuar Eurokompozit dhe se do të realizohen kërkesat e të punësuarve për pagesën e 18 rrogave të papaguara dhe kontributeve për 6 vitet e fundit.

Agonia e të punësuarve të Eurokompozit zgjat me vite të tëra. Qeveritë janë kanë pësuar rrotacion, ndërsa problemet dhe borxhet e firmës shtetërore vetëm se janë shtuar.