Fabrikë e re në Z. L. E. “Bunarxhik”, investim 4.7 mln euro, 150 punësime të reja

Në Zonën industriale “Bunarxhik” edhe zyrtarisht filloi me punë fabrika zvicerane “Baumer”, e cila do të prodhojë senzorë, instrumente matës dhe pajisje për analiza të proceseve prodhuese.

Marketing

Investimi në fazën e parë kap vlerën prej 4.7 milion euro dhe do të hapen 150 vende të reja të punës. Nga kompania njoftojnë se do të ndërtohet edhe një qendër zhvillimore hulumtuese për trajnimin e inxhinierëve të ri si dhe planifikohen edhe vende të reja pune në sektorin e IT-së.

“Në fazën fillestare jemi të koncentruar në prodhimtari. Për fazën e ardhshme planifikohen ekipe për zhvillimin e prodhimeve të reja të përbërë nga inxhinierë për harduerë dhe softuerë, si dhe specialistë të IT-së”,- tha pronari i Fabrikës “Baumer”, Oliver Vice.

Nga Qeveria zotohen se po krijojnë ambient të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Qeveria, për të krijuar ambient të përshtatshëm me tregun modern, fokusin e politikave të saj për mbështetje të investitorëve të jashtëm dhe të brendshëm e vendosi në krijimin e lidhjeve afariste me kompani të tilla”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

“Për një kohë të shkurtër erdhëm deri aty që të hapim një prodhimtari e cila veç më ka filluar me prodhim dhe dërgesat e para janë dorëzuar nëpër botë”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Kontrata me këtë kompani të huaj u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar. Atë kohë u paralajmërua se investimi do të kryhet në tre faza dhe se kompania do të investojë 9 milion euro dhe do të krijojë rreth 300 vende të reja pune.

Marketing