Si pjesë e luftës kundër dezinformatave  në  Facebook, kemi lidhur bashkëpunim me kontrollues të pavarur të fakteve nga palë të treta në mbarë botën, të cilët kontrollojnë dhe vlerësojnë vërtetësinë e përmbajtjes. Sot, e shpallim fillimin e programit për kontroll të fakteve nga palë të treta në Maqedoninë e Veriut me Vërtetëmatësin (Fondacioni Metamorfozis). Gjithashtu, sot fillon programi në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi, si në Kroaci. Të gjithë partnerët e programit janë të certifikuar përmes Rrjetit jopartiak Ndërkombëtar për Kontrollimin e Fakteve.

 

Kur kontrolluesi i fakteve e vlerëson një artikull lajmesh si të rremë, Facebook e shfaq atë më poshtë në murin e lajmeve (News Feed), duke e zvogëluar ndjeshëm shpërndarjen e tij. Kjo e parandalon përhapjen e mashtrimeve dhe e zvogëlon numrin e njerëzve që mund t’i shohin të njëjtat. Faqet në Facebook dhe uebsajtet (domains) që shpërndajnë vazhdimisht lajme të rreme do të kenë përhapje të zvogëluar të postimeve të tyre dhe do t’u hiqet mundësia për të fituar para dhe reklamim. Kur një postim shënohet si i rremë, Facebook-u gjithashtu, i paralajmëron njerëzit që e shohin atë ose që përpiqen ta shpërndajnë postimin pasi që është caktuar si i rremë.

 

”Jemi të kënaqur që po e fillojmë programin tonë për kontrollimin e fakteve nga palët e të treta në Maqedoninë e Veriut me Vërtetëmatësin (Fondacioni Metamorfozis). Lufta kundër lajmeve të rreme është përgjegjësi që ne e marrim seriozisht, prandaj ne vazhdimisht punojmë për të gjetur mënyra si të parandalojmë përhapjen e dezinformatave në platformën tonë”, deklaroi Sofi Ajers, menaxhere për zhvillim strategjik në Facebook.

 

Ky program është në pajtim me platformën tre-pjesëshe (three-part framework) të Facebook-ut për përmirësimin e cilësisë dhe origjinalitetit të lajmeve në Murin e Lajmeve (News Feed), me të cilën Facebook-u i heq profilet dhe përmbajtjet që i cenojnë Standartet e Shoqërisë (Community Standards) ose Politikat për Reklamim (ad policies), e zvogëlon shpërndarjen e lajmeve të rreme dhe përmbajtjeve jo-autentike siç janë postimet vetëm për klikime (clickbait) dhe i informon njerëzit duke u dhënë më shumë kontekst për postimet që ata i shikojnë.

 

“Facebook është platforma përmes së cilës njerëzit në vendin tonë më shpesh gjejnë, pranojnë dhe konsumojnë informacione. “Kombinuar me përpjekjet tona për t’i inkurajuar lexuesit të mendojnë në mënyrë kritike për besueshmërinë e mediumeve dhe për t’iu qasur në mënyrë selektive burimeve të informacionit, besojmë se partneriteti me FB është mënyra më efektive për të luftuar përhapjen e informacioneve çorientuese dhe të rrejshme”, tha Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis.

 

Facebook-u sot ka mbi 70 partnerë për kontroll të fakteve, në më shumë se 50 gjuhë në nivel global, dhe investon në gjetjen e mënyrave për të rritur më tej këto përpjekje.