Lajmi është zyrtar. Facebook do ti japë jetë një bordi mbikqyrës, ose një lloj ‘Gjykate’ jashtë kolosit digjital, që do të thotë fjalën e fundit për heqjen e përmbajtjeve specifike nga rrjeti social.

Lajmi është konfirmuar nga vetë Mark Zuckenberg në një postim në faqen personale. Bordi, do të vendosë në nivel global, kufijtë e fjalës së lirë, urrejtjes online dhe përmbajtjeve të tjera që mund të konsiderohen të papërshtatshme.

Facebook ka lindur për ti dhënë zë përdoruesve, por dimë se sot disa e përdorin zërin e tyre për të vënë në rrezik të tjerë njerëz – ka shkruar Zuckenberg.

Për këtë shkak, kemi politika që qartësojnë standardet e komunitetit tonë. Por, nuk besoj se kompanitë private duhet të marrin të vetme vendime kaq të rëndësishme mbi atë që shpërndahet në rrjet. Vendimet e bordit do të jenë të detyrueshme, edhe nëse unë apo dikush tjetër në Facebook, nuk do të jemi dakord.

Rrjeti social që numëron më shumë se 2.4 miliardë përdorues në botë, muajt e fundit ka qenë në qendër të polemikave për sa i takon kontrollit të përmbajtjeve të publikuara. Ideja e krijimit të kësaj gjykate, ishte lajmëruar nga Zuckenberg që në vjeshtën e vitit të kaluar.

Bordi do të jetë një risi e rëndësishme. Që nga gjysma e parë e 2020, përdoruesit mund ti drejtohen atij për të kundërshtuar vendime dhe masa të marra nga “Facebook”.

evn