Fakulteti i Kulturës Fizike i UT-së i promovoi programet studimore para maturantëve të Tetovës

Universiteti i Tetovës vijon me prezantimin e ofertës akademike për vitin 2021/2022, përkatësisht të drejtimeve të ndryshme arsimore – shkencore. Fakulteti i Kulturës Fizike është fakulteti i radhës që e prezantoi ofertën akademike para maturantëve të Tetovës. Prezantimi u realizua përmes platformës online nga Doc. Dr. Kastriot Shaqiri, i cili i njoftoi maturantët me programet studimore, kushtet e studimit si dhe perspektivat nga kjo fushë studimore.
Nga Fakulteti i Kulturës Fizike thonë se maturantët patën mundësi që në detaje të njihen me veprimtarinë arsimore, sportive dhe shkencore të këtij fakulteti. “Sallat dhe terrenet sportive, laboratorët, kuadri i kualifikuar, programet e dizajnuara dhe të përshtatura për nevojat e tregut janë garancë e suksesit. Bursat studentore, projektet ndërkombëtare për mobilitet, aktivitetet studentore janë vetëm disa nga mundësitë që ofron Universiteti ynë për studentët. Studimet në këtë fakultet janë të organizuara sipas modelit të Bolonjës 4+1. Të diplomuarit në programin studimor të Kulturës Fizike, njohuritë dhe shkathtësitë e veta i zbatojnë në fushën e arsimit fillor, të mesëm ose të lartë si dhe në veprimtari sportive. Po ashtu u theksua se perspektiva për punësim në këtë fushë është e madhe dhe se me ndryshimet e Ligjit për arsimin fillor dhe të mesëm në RMV është rritur numri i orëve obligative dhe zgjedhore në fushën e edukimit fizik, në ciklin e ulët dhe të mesëm të shkollimit. Me këtë paraqitet nevoja për mësimdhënës të edukimit fizik”- theksuan nga Fakulteti i Kulturës Fizike.
Maturantët ishin mjaft kuriozë rreth ofertës së Fakultetit të Kulturës Fizike, pasi kushtet që i ofron Universiteti ynë në këtë drejtim janë të nivelit të lartë si nga kapacitetet kadrovike, po ashtu edhe nga aspekti infrastrukturor, me sallat dhe fushat sportive që janë të ndërtuara në bazë të standardeve evropiane.
Prezantimi i ofertës akademike do të vazhdojë edhe në ditët në vijim dhe pritet një numër i madh i studentëve që janë të interesuar t’i vazhdojnë studimet në Universitetin tonë.

Marketing

Marketing