Falsifikimi me cilin u soll vendimi gjyqësor kundër BFI-së (Dokument)

Të nderuar besimtarë, opinion publik dhe përfaqësues të korit diplomatik në Maqedoninë e Veriut:

Marketing

Pas analizave të dokumentacionit mbi të cilin është sjellë vendimi gjyqësor i Gjykatëses Donçevska Suzana kundër Bashkësisë Fetare Islame, i cili njëherit paraqet ndërhyrje primitive dhe të paprecedent ndaj autonomisë së BFI, kemi vendosur ti publikojmë disa dokumente me sqarim, ku qartë shihet mashtrimi dhe falsifikimi tendencioz, të cilin duan t’ia bëjnë popullatës muslimane në vend, por edhe institucionit Fetar Islam mbi 600 vjeçar në RMV.

Në fotografinë e parë, në anën e majtë është vula aktuale e BFI në RMV, ndërsa në të djathtë, vula me të cilën janë vulosur dokumentet e falsifikuara, në rastin konkret, Dorëzimi i dorëheqjes së parevokueshme të Reisul Ulemasë. Që në shikim të parë shihet se Libri Ikre në mes të vulës është më i madh tek origjinali, sesa në vulën e përdorur nga falsifikatorët keqbërës.

Në fotografinë e dytë, paraqesim po atë dokument të falsifikuar, me të cilin mashtruesit pretendojnë ta paraqesin dorëheqjen e Reisul Ulemasë. Në pikat me numra të kuq, ne do tu sqarojmë gjitha detajet me çka vërtetohet falsifikimi:

  1. Memorandumi mbi të cilin është falsifikuar ky dokument është i vjetër e që në vitin 2015, BFI e RMV nuk e përdor më.
  2. Vula e falsifikuar
  3. Nënshkrimi i falsifikuar i Reisul Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepi.
  4. Ueb faqja e vjetër www.bim.org.mk, e cila nga viti 2014 nuk përdoret më. Ndërsa ueb faqja aktuale e BFI-së është www.bim.mk
  5. E-maill adresa inekzistente e BFI: [email protected], ndërsa adresa aktuale e BFI, tash e katër vite është [email protected]
  6. Numri i regjistruar në librin zyrtar nuk ekziston (numër imagjinar që nuk përputhet me numrat e regjistrit)
  7. Dorëheqja e Reisul Ulemasë së BFI nuk deponohet me memorandum zyrtar dhe nuk vuloset me vulë zyrtare. Ai është akt personal dhe si i tillë deponohet vetëm me nënshkrimin e Reisit.

Në fotografinë e tretë, do të publikojmë proces verbalin nga mbledhja e jashtëzakonshme e Rijasetit të BFI, pra mbledhja e falsifikuar – imagjinare e Rijasetit, e mbajtur më datë 30.03.2019 (e shtunë) ku gjithashtu kemi vendos numrat rendor 8 dhe 9;

  1. Numri 03-135 me të cilin është paraqitur para Gjyqit ky dokument kinse është regjistruar në librin zyrtar, është i falsifikuar. Me numër rendor 03-135, në regjistrin zyrtar të BFI-së është regjistruar: Vendim për pëlqim të Statusit të FSHI (Fakulteti i Shkencave Islame më datë 26.02.2019). këtë do ta ilustrojmë me fotografinë nr 6.
  2. Se kjo mbledhje e Rijasetit është e rrejshme dëshmojnë faktet, se nga 15 anëtarë të emërtuar si pjesëmarrës të kësaj mbledhje, 7 nuk janë anëtarë të Rijasetit dhe atë:

-Ali Baragoni – mbi dy vjet në pension;

-Skender Buzaku – mbi 4 vjet i shkarkuar nga BFI

– Shefqet Imerovski – koordinator, jo anëtar i Rijasetit

-Rejhan Mandak – asnjëherë nuk ka qenë anëtar i Rijasetit

-Pllumi Veliu – mbi 3 vjet i shkarkuar nga BFI

-Adem Çorevski – koordinator, jo anëtar i Rijasetit

-Xhumejd Jashar – koordinator, jo anëtar i Rijasetit

Gjithashtu në këtë dokument të falsifikuar janë përmendur edhe disa myftinj – anëtarë aktual të Rijasetit siç janë:  Ramazan Hasa – Myfti i Dibrës, Salim Sulejmani – Myfti i Strugës, Qani Nesimi – Myfti i Tetovës, Abedin Imeri – Myfti i Kumanovës, Muhamer Veseli – Drejtor i Agjencisë për Hallall Certifikat, Shaban Sulejmani – Dekan i FSHI dhe Ibrahim Idrizi – Drejtor i Medresesë Isa Beu. Të gjithë këta anëtarë të Rijasetit, sot, me datë 25.04.2019 kanë dhënë deklaratë të noterizuar se asnjëherë nuk kanë marrë pjesë në një mbledhje të tillë dhe se emrat e tyre janë falsifikuar. Që të gjithë gjithashtu kanë ngritur padi penale kundër përpiluesit të këtij proces verbali Plumb Veliu.

 

Në fotografinë e katërt dhe të pestë, është vazhdimësia mbledhjes së falsifikuar dhe në fund është nënshkruar nga Plumb Veliu dhe përdorur vula e falsifikuar e BFI, e shënuar me nr. 10.

Në fotografinë e gjashtë, është dëshmia e librit zyrtar të BFI në të cilin është regjistruar Vendim për pëlqim të Statusit të FSHI, e jo siç i është prezantuar Gjyqit Proces Verbali për mbledhjen e jashtëzakonshme.

Në fotografinë shtatë dhe tetë, shihet qartë se fletëpagesat për këtë proces gjyqësor janë paguar nga Skender Buzaku. Në raste të tilla, për çdo veprim juridik të një institucioni, pagesa bëhet në emër të Institucionit, e jo në emër privat.

Shërbimi për Informim i BFI