FBI do të marrë pjesë në hetimet për shpërthimin në Bejrut

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në SHBA, do t’iu bashkohet hetuesve ndërkombëtarë në kërkimet rreth shpërthimit të 4 gushtit në Bejrut.

Marketing

Lajmi u bë me dije nga nënsekretari amerikan për Çështje Politike, David Hale, i cili ka thënë se hetuesit e FBI-së do të marrin pjesë në këto hetime, pas ftesës së bërë nga autoritetet e Libanit.

“FBI-ja do t’iu bashkohet shumë shpejt hetuesve libanezë dhe atyre ndërkombëtarë, me ftesë të Libanit, në mënyrë që të ndihmojmë në gjetjen e përgjigjjeve për pyetjet që e dimë se të gjithë i kanë rreth kushteve që kanë nxitur këtë shpërthim”, ka thënë Hale.

Shpërthimi i 4 gushtit ka rritur shkallën e zemërimit e popullit ndaj liderëve të Libanit, vend i cili përballet me krizë ekonomike dhe pandemi të koronavirusit.

Sipas autoriteteve, shpërthimi ka ndodhur si pasojë e ndezjes së 2,750 tonëve të nitratit të amonit, që ka qëndruar në portin e Bejrutit për gjashtë vjet në mënyrë të pasigurt.

Qeveria e Libanit, në krye me Hassan Diab ka thënë dorëheqje më herët gjatë kësaj jave, pas disa ditësh protestave.

Parlamenti i Libanit ka miratuar të enjten shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke i dhënë ushtrisë fuqi për të shpallur orë policore, të ndalojë organizimet në rrugë si dhe të censurojë mediat.

Marketing