Federata Shqiptare e Futbollit nxjerr në shitje emrin e stadiumit të ri

Nëpërmjet një shpalljeje në faqen zyrtare pasditen e sotme, Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në shitje emrin e stadiumit të ri që po ndërtohet në kryeqytet.

Stadiumi ka mbajtur emrin e heroit të popullit, Qemal Stafa ndërsa që pas nisjes së punimeve për rindërtimin e tij, të gjithë i janë referuar me emërtimin “Arena Kombëtare”.

Megjithatë FSHF ka vendosur të shesë emrin e stadiumit, ashtu si edhe benefite të tjera, teksa në njoftim thuhet se kërkon kompani që kanë një nivel relativisht të lartë xhiroje vjetore dhe që kanë një imazh të mirë në treg.

Federata Shqiptare Futbollit njofton se po kërkon një sponsor për stadiumin e ri kombëtar. E drejta për të qënë sponsor përfshin blerjen e të drejtave të emrit të stadiumit të ri si dhe perfitime të tjera.

Çdo kompani e interesuar duhet të permbush kriteret bazë që janë:
• Të jetë një kompani me një xhiro prej të paktën 10 milion euro në vit
• Të jetë një kompani që gëzon emër të mirë dhe reputacion të rëndësishëm kombëtar dhe/ose ndërkombetar
Shitja e të drejtave të emrit do të ketë një afat minimal prej 5 vitesh dhe një çmim dysheme prej 600 mijë euro në vit.