Festa e 11 vjetorit të pavarësisë, nën ethet e ndarjes

Festa e Njëmbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës po pritet nën ethet e ndarjes. Këtë frikë e kanë shumica e partive parlamentare dhe njohësit e çështjeve politike në vend, duke iu referuar deklaratave të presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të lehtë” të kufirit me Serbinë.
Harta e Kosovës do të mundë të pësojë ndryshime në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së vendit po që se këtë vit do të realizohet ideja e presidentit Hashim Thaçi për çështjen e kufijve.

Hashim Thaçi, nga pozicioni i kryeministrit të vendit, më 17 shkurt të vitit 2008 e kishte prezantuar për herë të parë flamurin verdhekaltër me hartën e shtetit më të ri në Evropë në mes. Por, kjo hartë mund të ndryshojë nëse realizohet ideja e fundit e protagonistit të njëjtë, Hashim Thaçi, për “korrigjim të lehtë” të kufirit me Serbinë, duke e rrezikuar kështu pjesën veriore të banuar me shumicë serbe dhe me pretendimin e fitimit të pjesshëm të territorit në jug të Serbisë, përkatësisht komunës së Preshevës, shkruan Gazeta “Zëri”.

Kjo ide e Thaçit po cilësohet si marrëveshje e dhimbshme, që mund t’i kushtojë Kosovës, ndaj së cilës janë rreshtuar kundër pozitë e opozitë. Edhe analistët politikë vlerësojnë se ky ndryshim i kufijve mund të sjellë një tjetër konflikt në Ballkan.