Festë dhe spektakël, Futsal Shkupi ngriti lartë trofeun e kampionit (VIDEO)

Festë e madhe dhe një spektakël i përgatitur mjaft mirë nga ana e tifo grupit “Shvercerat”, bënë që lojtarët e Futsal Shkupit në mënyrën më të mirë të festojnë titullin kampion për edicionin 2018/2019 në elitën e futsalit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Marketing

Futsal Shkupi në rolin e mysafirit në ndeshjen e javës së fundit, atë të 27-të në palestrën e SH.M.Q.SH – “Zef Lush Marku” mundi Zhelezarecin me rezultatin 6:3, duke e mbyllur këtë edicion me 26 fitore nga gjithsej 27 ndeshje.

Ndryshe titullin kampion Futsal Shkupi e kishte siguruar që javë më parë, ndërsa sonte lojtarët “bardhekaltër” luajtën për tifozët e pranishëm në palestër, aty ku gjithçka ishte fantastike. Nisur nga vetë loja e shfaqur e “bardhekaltërve” nga Çairi, por edhe nga performanca e shkëlqyer e tifozëve “Shvercerat” në tribunë, të cilët krijuan një super atmosferë, duke iu falënderuar në këtë mënyrë ekipit për suksesin e arritur.

Ndryshe sa u përket golashënuesve në takimin e sotëm, sërish në element doli të jetë Rexhep Sulejmani, që shënoi 3 gola, teksa nga një gol realizuan Bejtulla Jakupi, Taulant Ismaili dhe Eroll Dalip. Autorë i të tre golave për ekipin e Zhelezarecit ishte Petre Dailovski.

Për Futsal Shkupin, klub ky i themeluar vetëm në vitin 2014-të,  është ky titulli i dytë kampion në historikun e tyre, pas atij në edicionin 2016/2017.

Marketing