Me shfaqjen “Zona e pritjes” të teatrit “Migjeni” nga Shkodra, mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë së Veriut, ngriti siparin Edicioni i Parë i Festivalit të Teatrit “AKT Fest”, një festival që u kushtohet jo shfaqjeve, por aktorëve nga të gjitha trojet shqiptare.

Megjithëse e paralajmëruar, teatrit do t’i mungojë trupa e Durrësit, që nuk mundi të vijë për shkak të tërmetit tragjik që goditi jo vetëm këtë qytet, por edhe disa prej anëtarëve të tij. Me një minutë heshtje u nderuan 51 viktimat e tërmetit dhe paratë që do të mblidhen si donacione në këto ditë të festivalit, do të shkojnë pikërisht për të zbutur dhimbjen e ndonjë familjeje që pësoi në këtë tragjedi.
Festivalin e shpalli të hapur ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, I cili potencoi mbështetjen e dhënë nga Ministria e Kulturës, e cila njohu rëndësinë e festivalit që do ta pasurojë hapësirën kulturore në vendin tonë.

“Ministria e Kulturës edhe në të ardhmen do të vazhdojë t’i mbështesë të gjitha projektet që e promovojnë aktivitetin teatral dhe bashkëpunimin me teatrot në rajon, të cilat do të kontribuojnë në njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e përvojave”, tha ministri Ismaili.

Festivali i Teatrit “AKT Fest”, është organizuar nga “Tajm Lab Prodakshën” dhe brenda pesë mbrëmjeve të festivalit, do të sjellë në skenat e Shkupit, gjashtë shfaqje nga shtëpitë teatrale nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Sonte në orën 18:00 para artdashësve u shfaq teatri “Bekim Fehmiu” nga Prizreni me shfaqen “Kukulla”, ndërsa në orën 20:00, në skenën e madhe të TKM-së, do të ngjiten aktorët e Teatrit Shqiptar në Shkup, me pjesën “Vdekja e Dantonit” Nesër mbrëma në skenë do të ngjitet Teatri i Tetovës me “Jashtë bie borë”, Të martën teatri Kombëtar I Kosovës, sjell “Arturo Ui” në Teatrin e Komedisë, e në përmbyllje të festivalit, vjen teatri ‘Kujtim Spahivogli” nga Tirana, me pjesën “Medea”, shfaqe kjo që gjithashtu mbahet në Teatrin e Komedisë, ku edhe do të ndahen çmimet për aktorët më të mirë të këtij festivali.

Juria profesioniste përbëhet nga Ndriçim Xhepa, Vehbi Qerimi dhe Shkumbin Istrefi do të vendosë për 5 çmimet kryesore që do të ndahen në kuadër të edicionit të parë të festivalit “AKT Fest”.

evn